Kosova
Mijëra qytetarë marshojnë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Në “Marshin për Liri” në Prishtinë morën pjesë mijëra qytetarë, pak ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.
Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në sheshet e Prishtinës për “Marshin për Liri”, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, përcjell albinfo.ch.
Marshi zhvillohet pak ditë para shpalljes së vendimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në mesin e folësve ishte edhe Lirjona Sylejmani, vajza e dëshmorit të kombit Bajram Sylejmani. Ajo tha se për të UÇK-ja nuk përfaqëson një slogan politik, por amanetin e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.
Sylejmani foli për babanë e saj, Bajram Sylejmani, dhe xhaxhain Gursel Sylejmani, të cilët ranë dëshmorë gjatë luftës.
“Sot jam këtu para jush me epitetin e vajzës së heroit, të cilin nuk e kërkon, por m’u dhurua një ditë para se të mbushja një vjet”, tha ajo, duke shtuar se familja e saj e kishte përjetuar luftën përmes sakrificës së dy anëtarëve të saj.
Ajo u shpreh se UÇK-ja ishte përgjigjja e një populli që kërkonte lirinë dhe kërkoi drejtësi për ish-krerët e saj që po gjykohen në Hagë.
“Drejtësi për ushtarët e lirisë që sot presin në Hagë. Kosova ju pret”, deklaroi Sylejmani.
Hamza: Vendimi i padrejtë do të ishte dënim për Kosovën
Në marsh foli edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i cili u bëri thirrje gjyqtarëve në Hagë që të marrin parasysh pasojat e vendimit të tyre.
“Sot në këtë shesh nuk po shoh vetëm mijëra qytetarë, po e shoh Kosovën. Po shoh familje që e kanë paguar shtrenjtë çmimin për liri”, tha Hamza.
Ai theksoi se qytetarët janë mbledhur për të nderuar dhe mbrojtur UÇK-në, por edhe për të përcjellë mesazhin se Kosova pret drejtësi.
“Atyre që marrin vendimin në Hagë u themi: mendoni për pasojat para se të merrni vendimin. Vendimi i padrejtë është mbi të gjitha dënim për Kosovën, dhe padrejtësinë nuk e pranojmë”, deklaroi Hamza.
Gjini: Askush nuk mund ta njollosë historinë e UÇK-së
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se pjesëmarrësit e marshit po përcjellin një mesazh për Kosovën dhe botën.
“Gjithë këta njerëz i flasin gjithë botës. Sot i flasim edhe njëri-tjetrit, miqve që na kanë dëgjuar më 1999, po ju flasim edhe armiqve. Po ju flet populli i lirë i Kosovës”, u shpreh Gjini.
Ai tha se UÇK-ja kishte luftuar kundër forcave që, sipas tij, kishin kryer krime ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.
Gjini shtoi se, pavarësisht vendimit që pritet nga Haga, askush nuk do të mund ta ndryshojë apo njollosë, sipas tij, historinë e luftës për liri.
“Kurrë askush nuk ka me mbërritë me ndot tregimin tonë për liri”, deklaroi ai.
Gucati: Nuk jemi mbledhur për individët
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se qytetarët nuk janë mbledhur për të mbrojtur individë, por atë që ai e cilësoi si të vërtetën e Kosovës.
“Nuk jemi mbledhur për ta mbrojtur individin, por për ta mbrojtur të vërtetën e një populli që luftoi për lirinë. Jemi mbledhur për ta mbrojtur të vërtetën e Kosovës”, tha Gucati.
Ai kërkoi që procesi në Hagë të jetë i drejtë dhe i paanshëm, duke theksuar se një dënim i ish-krerëve të UÇK-së, sipas tij, do të përbënte goditje jo vetëm ndaj individëve, por edhe ndaj luftës së UÇK-së.
Edhe deputetë të Vetëvendosjes në marsh
Në “Marshin për Liri” morën pjesë edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Në shesh u panë Adnan Rrustemi, Sali Zyba dhe Enver Hoti.
Ndërkohë, një ditë më herët, platforma “Liria ka Emër” kishte bërë të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk i ishte përgjigjur ftesës për të mbajtur fjalim në këtë marsh./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Kusari-Lila diskuton me përfaqësues nga Gjermania për investime në Kosovë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me përfaqësues nga... -
“Tri Net Film Fest” nis sot në Winterthur, tre net me film, art dhe kulturë -
Zvicër
Argenita Fetahu sjell në Luzern ekspozitën personale “Beyond Silence” -
Policia holandeze jep detaje për protestën në Hagë: Dy të arrestuar, një polic i lënduar -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje
Jeta në Austri
-
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak U sekuestruan gjithsej 1.496,7 gramë kokainë, 16.952,4 gramë marihuanë, 58,8 gramë metamfetaminë kristalore, 160 euro para... -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht








