Lajme

Autobusët pa shofer fillojnë qarkullimin në Aeroportin e Cyrihut

Autobusët transportues plotësisht të automatizuar kanë nisur të qarkullojnë në aeroportin e Cyrihut. Udhëtimet e para u kryen në fillim të shtatorit. Megjithatë, pasagjerët ende nuk mund të hipin në to.

Prej disa ditësh, dy autobusë të vegjël (shuttle) plotësisht të automatizuar, pa shofer dhe pa personel sigurie, po qarkullojnë në ambientet e Aeroportit të Cyrihut.

Testimet e para u kryen në fillim të shtatorit, siç bëhet e ditur në një deklaratë të aeroportit teksa autobusët monitorohen nga një qendër kontrolli.

Kjo e bën Cyrihun një nga aeroportet e para në Evropë që realizon udhëtime të tilla. Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me kompaninë kineze WeRide që nga marsi i vitit 2025. Aeroporti e cilëson këtë si një “arritje të rëndësishme”.

Megjithatë, për momentin pasagjerët nuk mund të hipin në këta autobusë të vegjël. Aktualisht, ata janë të destinuar të shërbejnë ekskluzivisht për transportin e punonjësve. Ata lëvizin në një itinerar të përcaktuar dhe nuk kalojnë nëpër pistat e lëvizjes së avionëve (taxiways), raporton Blick, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa autobusët e kryejnë lëvizjen në mënyrë të pavarur, operacionin e mbikëqyrin punonjës të kompanive Swissport dhe Krummen Kerzers.

Mjetet nuk zëvendësojnë punonjësit. “Shoferët e mëparshëm të sigurisë janë trajnuar për këtë detyrë të re,” shkruan Aeroporti i Cyrihut. Automatizimi synon ta bëjë punën më efikase dhe gjithashtu të përballet me mungesën e pritshme të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Autobusët do të përdoren të paktën deri në fund të vitit 2026. Aktualisht, aeroporti po shqyrton mundësinë e vazhdimit të projektit. Pavarësisht kësaj, të dhënat e mbledhura do të shërbejnë si bazë për përdorimin e ardhshëm të mjeteve të automatizuara – në të ardhmen, ndoshta edhe për pasagjerët e linjave ajrore.