Shqipëria

Begaj përkujton 25-vjetorin e 11 shtatorit, nderon 2,977 viktimat

Presidenti i Shqipërisë shprehu solidaritet me familjet e viktimave dhe theksoi se sulmet mbeten një kujtesë kolektive për SHBA-në, Shqipërinë dhe aleatët

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nderuar kujtimin e 2,977 viktimave që humbën jetën, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Begaj ka shprehur ngushëllime dhe solidaritet me familjet dhe të afërmit e viktimave. Ai ka theksuar se, edhe pas një çerek shekulli, 11 shtatori mbetet një kujtesë kolektive për Amerikën, Shqipërinë dhe aleatët që ndajnë të njëjtat vlera.

“11 shtatori është aty si një kujtesë kolektive që ka riformësuar jetët tona me dëshminë se ideologjitë urrejtëse sjellin pasoja të tmerrshme”, ka shkruar Begaj.

Presidenti shqiptar ka vlerësuar qëndrueshmërinë e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se gjatë këtyre viteve “Amerika, ky komb i madh e i fortë, i tregoi botës se nuk mposhtet nga asgjë”.

Në përmbyllje, Begaj ka rikonfirmuar angazhimin për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e një bote më të sigurt e më paqësore për brezat e ardhshëm./Albinfo.ch