Kosova

Inflacioni në Kosovë arrin në 7.3% në gusht, transporti dhe energjia shtrenjtohen më së shumti

Çmimet e konsumit u rritën me 1.3% krahasuar me korrikun, ndërsa në bazë vjetore transporti shënoi rritje prej 21.1%, ndërsa strehimi dhe energjia elektrike 11.8%.

Kostoja e jetesës në Kosovë ka vijuar të rritet edhe gjatë muajit gusht, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla vjetore e inflacionit në gusht 2026 ka arritur në 7.3%. Ndërkohë, krahasuar me muajin paraprak, korrikun, çmimet e konsumit janë rritur me 1.3%.

Të dhënat janë publikuar në kuadër të raportit për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK).

Rritjen më të madhe vjetore të çmimeve e ka shënuar grupi i transportit, me 21.1%. Pas tij renditen shpenzimet për strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse, të cilat janë rritur me 11.8%.

Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe në disa kategori të tjera të konsumit. Restorantet dhe shërbimet e akomodimit janë shtrenjtuar me 5.4%, pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5.1%, ndërsa shëndetësia me 4.2%.

Në kategorinë e kujdesit personal dhe mbrojtjes sociale, rritja ishte 3.8%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 2.6%.

Në anën tjetër, shërbimet arsimore ishin e vetmja kategori që regjistroi rënie vjetore të çmimeve, me 0.5%.

Edhe në krahasimin mujor, gusht 2026 me korrik 2026, rritja e përgjithshme prej 1.3% u ndikua kryesisht nga transporti, ku çmimet u rritën me 4.6%, si dhe nga grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me 0.8%.

Të dhënat e ASK-së tregojnë kështu se transporti dhe kostot e energjisë e strehimit vazhdojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e kostos së jetesës në Kosovë./Albinfo.ch