Lajme
Zvicra synon internet me shpejtësi të lartë në të gjithë vendin
Këshilli Federal i Zvicrës ka paraqitur në Parlament një propozim për mbështetjen e lidhjeve broadband në zonat me popullsi të rrallë. Programi synon që, duke nisur nga viti 2029, e gjithë popullsia të ketë qasje në internet me shpejtësi prej të paktën 1 gigabit për sekondë.
Këshilli Federal dëshiron të zgjerojë qasjen në internet me shpejtësi të lartë në të gjitha rajonet e Zvicrës, përfshirë zonat rurale dhe ato ku investimet në infrastrukturë nuk janë ekonomikisht të leverdishme.
Sipas qeverisë zvicerane, Zvicra mbetet prapa vendeve të tjera në zgjerimin e rrjeteve me fibra optike. Në vitin 2024, mbulimi me fibra optike në Zvicër ishte rreth 50 për qind, krahasuar me 69 për qind në Bashkimin Evropian.
Pa mbështetje publike, rreth 10 për qind e familjeve dhe bizneseve në Zvicër mund të mbeten pa qasje në internet me shpejtësi të lartë, qoftë përmes fibrave optike apo komunikimit radio. Problemi prek kryesisht zonat ku ndërtimi i rrjeteve nuk konsiderohet ekonomikisht i qëndrueshëm.
Për këtë arsye, qeveria ka prezantuar një program financiar për nxitjen e zgjerimit të infrastrukturës broadband. Objektivi është ngushtimi i hendekut digjital mes zonave urbane dhe rurale, tha këshilltari federal Albert Rösti, përgjegjës për telekomunikacionin, gjatë një konference për media në Bernë.
Mbështetja bëhet edhe më e rëndësishme për shkak se linjat e bakrit që ende përdoren në disa zona pritet të çmontohen gradualisht gjatë viteve 2030.
Deri në 730 milionë franga për subvencione
Këshilli Federal planifikon të vërë në dispozicion deri në 730 milionë franga zvicerane për subvencione, ndërsa gjysmën e kësaj shume do ta financojë Konfederata.
Parlamenti do të duhet të miratojë një fond prej 365 milionë frangash për periudhën 2030–2037.
Programi do të financohet nga të ardhurat e tarifave që lidhen me koncesionet e ardhshme për telefoninë mobile. Tenderi për koncesionet që do të vlejnë pas vitit 2029 është hapur javën e kaluar.
Pjesëmarrja në program do të jetë vullnetare për komunat dhe kantonet. Megjithatë, Konfederata do të bashkëfinancojë një projekt vetëm nëse kantoni përkatës kontribuon me gjysmën e financimit.
Ndihma financiare do t’u jepet komunave, të cilat do t’i paraqesin kërkesat konkrete pranë kantoneve.
Komunat do të kenë mundësi t’i përdorin fondet për ndërtimin e rrjetit të tyre ose t’ia transferojnë projektin një operatori të rrjetit, i cili do të përzgjidhet përmes një procedure tenderimi, shpjegoi Rösti.
Programi do të zgjasë tetë vjet
Këshilli Federal ka përcaktuar një shumë maksimale të subvencionimit për çdo lidhje. Prioritet do t’u jepet rrjeteve me fibra optike.
Në rastet kur ndërtimi i një rrjeti me fibra optike rezulton shumë i kushtueshëm, do të preferohet infrastruktura e komunikimit radio. Përjashtim do të ketë nëse komuna vendos të mbulojë vetë diferencën e kostos.
Pas procesit të konsultimit, Këshilli Federal ka parashikuar edhe lehtësime administrative për komunat. Për shembull, ato nuk do të jenë të detyruara të kenë lejet përfundimtare të ndërtimit në momentin e aplikimit. Lejet do të duhet të dorëzohen vetëm para disbursimit të subvencioneve.
Programi pritet të nisë jo më herët se viti 2029 dhe është planifikuar të zgjasë tetë vjet.
Këshilli Federal mund ta zgjasë programin vetëm një herë, për një periudhë maksimale prej tre vjetësh, me kusht që fondet e parashikuara të mos jenë shfrytëzuar plotësisht.
E-Diaspora
-
Aurela Gaçe për albinfo.ch: Në janar 2027 mes shqiptarëve në Zvicër Në prag të dy koncerteve, Aurela Gaçe flet për albinfo.ch për rikthimin në Zvicër, marrëdhënien e... -
Ideja Bajra, shqiptarja që po spikat në fushën e Inteligjencës Artificiale në Britani -
Bern
“Ku janë të gjithë?” – Kino Kosova Film Festival rikthehet me edicionin e shtatë në Bernë -
Bruksel
19-vjeçari shqiptar pyet në Bruksel: Si tolerohet Serbia pas glorifikimit të Mlladiqit? -
Ramë Dardania merr pjesë në festivalin ndërkombëtar të artit, në Kotor
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?











