Lajme

Shampot dhe produktet kozmetike, kimikatet që mund të përfundojnë në ujin që pimë

Produktet që përdorim çdo ditë për higjienën dhe kujdesin personal mund të lënë pas substanca kimike që përfundojnë në ujërat e zeza, lumenj dhe liqene. Ekspertët paralajmërojnë për efektet afatgjata të këtij “kokteji” kimik në mjedis dhe shëndet.

Mbetjet nga shampot, sapunët, kremrat dhe produktet e make-up-it mund të kalojnë pjesërisht përmes impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, pasi këto sisteme nuk janë projektuar fillimisht për të eliminuar të gjitha substancat kimike sintetike.

Nathalie Chèvre, ekotoksikologe në Universitetin e Lozanës, thotë se ende dihet pak për ndikimin e shumë prej këtyre substancave në mjedis, pasi ato nuk monitorohen në mënyrë të plotë. Sipas saj, disa përbërës, si filtrat UV, mund të dëmtojnë ekosistemet ujore dhe të grumbullohen te peshqit.

Një shqetësim tjetër është kombinimi i madh i substancave që njerëzit përdorin çdo ditë. Sipas ekspertes, duke mbledhur përbërësit e produkteve të përdorura në banjë dhe për kujdesin personal, një person mund të ekspozohet ndaj qindra substancave të ndryshme kimike.

Efektet e kombinimit të tyre nuk janë ende të njohura plotësisht. Veçanërisht shqetësuese janë substancat që mund të ndikojnë në sistemin endokrin, pasi efektet e tyre mund të shfaqen në afat të gjatë.

Ekspertja rekomandon që konsumatorët të zgjedhin produkte me lista më të shkurtra dhe më të thjeshta përbërësish, si dhe të shmangin përdorimin e panevojshëm të shumë produkteve për të njëjtin qëllim.

Çështja do të trajtohet edhe në aktivitetin falas “Detox Your Toiletry Bag”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Lozanë, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin mbi ndikimin e produkteve kozmetike në mjedis.