Lajme

Fëmijët u vendosin gjobë policëve në Thurgau, reagimi i tyre bëhet hit në Facebook

Fëmijët nga Donzhausen i befasuan policët kantonalë të Thurgaut me një “gjobë” prej 4 frangash. Aksioni i tyre plot humor u prit me mijëra pëlqime dhe komente pozitive në rrjetet sociale.

Një grup fëmijësh nga Donzhausen, në kantonin Thurgau, kanë gjetur një mënyrë mjaft kreative për t’u “gjobitur” policët, transmeton albinfo.ch.

Fëmijët i dorëzuan Policisë Kantonale të Thurgaut një fletë-gjobë me vlerë 4 franga, duke i befasuar policët me këtë aksion të pazakontë dhe plot humor.

Në vend që ta injoronin “gjobën”, policët vendosën ta merrnin me sportivitet. Ata e paguan shumën prej 4 frangash dhe më pas e ndanë historinë me ndjekësit e tyre në Facebook.

Rreth 1800 pëlqime

Aksioni i fëmijëve duket se ka argëtuar edhe përdoruesit e rrjeteve sociale. Postimi i policisë mori rreth 1800 pëlqime, ndërsa u shoqërua me shumë komente pozitive.

Gjestit të fëmijëve iu dha vlerësim i madh për kreativitetin dhe mënyrën e veçantë se si ata ndërvepruan me policinë.

Një “gjobë” prej vetëm 4 frangash, kështu, u shndërrua në një histori që solli të qeshura dhe simpati në rrjetet sociale. /Albinfo.ch