Lajme

Studimi në Gjenevë: Emocionet mund të nxisin më shumë veprime për klimën sesa faktet

Mënyra se si komunikohet ndryshimi klimatik mund të ketë ndikim të madh në gatishmërinë e njerëzve për të vepruar

Një studim i ri i Universitetit të Gjenevës sugjeron se mesazhet që ngjallin admirim dhe emocione ndaj natyrës mund të jenë më efektive për të nxitur njerëzit të veprojnë kundër ndryshimeve klimatike sesa faktet shkencore apo thirrjet për përgjegjësi.

Mënyra se si komunikohet ndryshimi klimatik mund të ketë ndikim të madh në gatishmërinë e njerëzve për të vepruar. Studiuesit nga Universiteti i Gjenevës kanë zbuluar se emocionet pozitive dhe të fuqishme, veçanërisht admirimi dhe mahnitja ndaj natyrës, japin rezultate më të mira sesa komunikimi i mbështetur vetëm në të dhëna shkencore.

Sipas studimit, materiale vizuale si videot e shkëmbinjve koralorë dhe pamjet mbresëlënëse të natyrës mund të krijojnë një lidhje emocionale që i motivon njerëzit më shumë për të ndërmarrë veprime në mbrojtje të klimës. Studiuesit konstatuan gjithashtu se imazhet kanë ndikim më të fuqishëm se fjalët në nxitjen e veprimit.

Në të kundërt, mesazhet e formuluara në frymën “është detyra jonë të veprojmë” mund të kenë efekt të kundërt. Sipas autorit kryesor të studimit, një qasje e tillë mund të shkaktojë te disa njerëz rezistencë, mohim ose kundërshtim në vend që t’i motivojë.

Gjetjet sugjerojnë kështu një ndryshim në mënyrën e komunikimit për klimën: më pak moralizim dhe më shumë përmbajtje vizuale që krijon lidhje emocionale me natyrën.