Lajme

Nisma për neutralitetin përçan të majtën zvicerane

Nisma për forcimin e neutralitetit të Zvicrës, për të cilën qytetarët do të votojnë më 27 shtator 2026, ka shkaktuar përçarje të thella edhe brenda së majtës.

Socialdemokratët e kundërshtojnë nismën, e cila synon të kufizojë mundësinë e Zvicrës për të vendosur ose rikthyer sanksione ndaj shteteve ndërluftuese. Në anën tjetër, një pjesë e së majtës radikale e mbështet tekstin, kryesisht për shkak të kundërshtimit ndaj sanksioneve ekonomike.

Këshilltari shtetëror i Gjenevës, Carlo Sommaruga, argumenton se miratimi i nismës do ta privonte Zvicrën nga një instrument i rëndësishëm i politikës së jashtme dhe do t’ia kufizonte mundësinë për të reaguar ndaj shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare.

Ndërsa Timeo Antognini, bashkëkryetar i Partisë Zvicerane të Punës, vlerëson se sanksionet ekonomike shpesh godasin më së shumti shtresat e margjinalizuara dhe mund të shndërrohen në një formë të “lufte ekonomike”.

Përplasjet mes dy krahëve lidhen edhe me qëndrimet ndaj Bashkimit Evropian. E majta radikale e kritikon BE-në si një projekt njëkohësisht militarist dhe neoliberal, ndërsa krahu institucional i së majtës mban një qasje më pozitive ndaj tij.

Referendumi i 27 shtatorit pritet të rikthejë në qendër të debatit publik një prej çështjeve më të ndjeshme të politikës së jashtme zvicerane: çfarë do të thotë neutraliteti dhe deri ku duhet të shkojë ai në raport me sanksionet dhe të drejtën ndërkombëtare.