Kosova

Lirohen nga detyra 18 gjyqtarët serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022

Ministri i Drejtësisë, Blerim Haxhiu, ka liruar nga detyra gjyqtarët pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa BE-ja kishte shprehur keqardhje për vendimin

Ministri i Drejtësisë, Blerim Haxhiu, ka marrë vendim për lirimin nga detyra të 18 gjyqtarëve serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi gjyqësor i Kosovës në vitin 2022, transmeton albinfo.ch.

Haxhiu ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të ministrit.

“Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Vendimi vjen pasi më 27 gusht, KGJK-ja kishte refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre dhe rikthimin në sistemin gjyqësor.

Pas vendimit të KGJK-së kishte reaguar edhe Bashkimi Evropian, i cili kishte shprehur “keqardhje të thellë” për këtë zhvillim.

Në fund të nëntorit të vitit 2022, rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë nga komuniteti serb dhanë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë, në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore.

Në atë kohë, BE-ja kishte bërë thirrje që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të trajtohej dhe të zgjidhej në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

Vendim të ngjashëm me atë të KGJK-së kishte marrë më herët edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me prokurorët serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. /Albinfo.ch