Kosova

Në vendkalimet kufitare të Kosovës, pa pritje të gjata

Pas javëve të ngarkuara të kthimit nga Kosova, në ditët e para të shtatorit nuk raportohen pritje të gjata në pikat kufitare

Javët e fundit, shumë mërgimtarë kanë marrë rrugën drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë, duke përmbyllur pushimet verore në Kosovë. Edhe në ditët e para të shtatorit vazhdon të ketë fluks të automjeteve në drejtim të pikave kufitare, por situata në dalje nga Kosova paraqitet dukshëm më e qetë, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata në dalje nga Kosova janë aktualisht në pikën kufitare të Merdarës, ku qytetarët po presin rreth 5 deri në 10 minuta. Në këtë pikë nuk raportohet për krijim të kolonave të automjeteve.

Situatë e ngjashme është edhe në pikat e tjera kufitare. Në shumicën prej tyre, pritjet në dalje janë vetëm disa minuta, ndërsa nuk raportohen kolona të gjata.

Të dhënat tregojnë se fluksi i mërgimtarëve që po largohen nga Kosova është ende i pranishëm, por pa shkaktuar ngarkesat e mëdha që u regjistruan gjatë ditëve më intensive të sezonit veror.

Për ata që po udhëtojnë drejt vendeve të Evropës pas përfundimit të pushimeve, mëngjesi i 2 shtatorit paraqitet kështu me qarkullim relativisht të lirshëm në pikat kufitare, pavarësisht numrit të konsiderueshëm të automjeteve.

Situata në kufi mund të ndryshojë gjatë ditës, veçanërisht në orët me fluks më të madh të qarkullimit, ndaj udhëtarëve u rekomandohet të kontrollojnë gjendjen e pikave kufitare para nisjes. /Albinfo.ch