Futboll

Holanda kërkon ndryshime në drejtimin e FIFA-s nga viti 2027

Shoqata Holandeze e Futbollit ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si drejtohet aktualisht FIFA dhe ka bërë thirrje për ndryshime në udhëheqjen e organizatës nga viti 2027.

Federata holandeze vlerëson se ndryshimi nuk duhet të kufizohet vetëm te posti i presidentit, por duhet të përfshijë edhe mënyrën e qeverisjes së institucionit më të lartë të futbollit botëror.

“FIFA ka nevojë për një lidership të ri që nga viti 2027. Vetëm një president i ri nuk mjafton. Mënyra se si drejtohet FIFA duhet të ndryshojë”, thuhet në deklaratën e palës holandeze.

Në kuadër të kësaj nisme, Holanda synon të organizojë në Amsterdam një samit ndërkombëtar ku do të mblidhen federata kombëtare dhe konfederata nga vende të ndryshme për të diskutuar të ardhmen e FIFA-s.

Kritikat ndaj presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, janë shtuar gjatë muajve të fundit. Edhe disa organizata të rëndësishme të futbollit, përfshirë UEFA-n, Konfederatën Aziatike të Futbollit dhe CONCACAF-in, kanë shprehur shqetësime lidhur me drejtimin e institucionit.

Në debat është përfshirë edhe një projekt i FIFA-s për angazhimin e investitorëve privatë në disa prej aktiviteteve të saj më të rëndësishme tregtare. Nisma u tërhoq pas kundërshtimeve, ndërsa çështja vazhdon të jetë objekt diskutimi dhe shqyrtimi nga palë të ndryshme.

Holanda, ndërkohë, kërkon që debati për të ardhmen e FIFA-s të shkojë përtej zgjedhjes së një presidenti të ri dhe të përfshijë reforma më të gjera në mënyrën e funksionimit dhe qeverisjes së organizatës.