Maqedonia

Nga 1 shtatori, rregulla të reja në Aeroportin e Shkupit – ja çfarë ndryshon

Zona “Hug & Fly” do të ketë kufizime të reja: ndalimi falas mbetet 10 minuta, por vetëm një herë brenda 24 orëve për çdo automjet

Nga 1 shtatori 2026, udhëtarët dhe personat që i përcjellin apo i presin ata në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit do të përballen me rregulla të reja për përdorimin e zonës “Hug & Fly”, transmeton albinfo.ch. 

Sipas rregullave të reja të prezantuara nga TAV Maqedoni, automjetet do të vazhdojnë të kenë mundësi të ndalojnë falas deri në 10 minuta në rrugën para terminalit, për të lënë ose marrë udhëtarë.

Megjithatë, ka një ndryshim të rëndësishëm: çdo automjet do të mund ta shfrytëzojë këtë mundësi falas vetëm një herë brenda një periudhe prej 24 orësh.

Targat do të regjistrohen automatikisht

Hyrja dhe dalja në zonën “Hug & Fly” do të kontrollohen përmes një sistemi automatik për njohjen e targave.

Sipas TAV Maqedoni, sistemi i ri synon të parandalojë qëndrimet e panevojshme të automjeteve dhe të përmirësojë qarkullimin në pjesën përpara terminalit.

Masa synon gjithashtu të mundësojë qasje më të sigurt dhe më të lehtë drejt aeroportit, veçanërisht gjatë periudhave kur numri i udhëtarëve është i lartë.

Ku mund të parkoni nëse qëndroni më gjatë?

Për personat që kanë nevojë të qëndrojnë më shumë se 10 minuta, aeroporti vazhdon të ofrojë parkingun kryesor përpara terminalit.

Ky parking ka një kapacitet prej 1.200 automjetesh, ndërsa në dispozicion janë edhe gjashtë vende për autobusë.

Pra, nga 1 shtatori, ata që vetëm përcjellin ose presin udhëtarë mund të vazhdojnë ta përdorin zonën “Hug & Fly” për ndalesa të shkurtra, por duhet të kenë parasysh rregullin e ri: 10 minuta falas dhe vetëm një hyrje brenda 24 orëve për të njëjtin automjet./Albinfo.ch