Lajme

A duhet të jetë kontracepsioni falas për të gjithë? Gjeneva vendos më 27 shtator

Banorët e Gjenevës do të votojnë më 27 shtator për një nismë që synon ta bëjë kontracepsionin falas për të gjithë. Nëse miratohet, Gjeneva do të bëhej kantoni i parë në Zvicër që zbaton një masë të tillë.

Kërkesa për kontracepsion falas nuk është e re në Zvicër. Ajo ishte pjesë edhe e marshimeve feministe të vitit 1975, kur gratë dhe lëvizjet feministe kërkonin të drejtën për të vendosur për mëmësinë e tyre, përfshirë aksesin e lirë dhe të barabartë në metodat kontraceptive.

Prej dekadash, deputetë në Parlamentin Federal në Bernë kanë tentuar, pa sukses, të miratojnë legjislacion që do të mundësonte rimbursimin e kontraceptivëve nga sigurimi shëndetësor.

Vendimi tani u takon kantoneve

Një zhvillim i rëndësishëm ndodhi në nivel kantonal. Në tetor 2025, Këshilli i Madh i Neuchâtelit miratoi një mocion për ta bërë kontracepsionin falas për personat nën 30 vjeç. Tashmë çështja është në duart e Këshillit të Shtetit.

Në Gjenevë, nisma shkon edhe më tej. Ajo nuk parashikon kufizim moshe dhe përfshin të gjitha metodat kontraceptive, mes tyre pilulat, spiralet intrauterine (IUD), implantet, pilulën e urgjencës dhe prezervativët. Abortet, megjithatë, nuk përfshihen në këtë propozim.

Synohet të korrigjohet një pabarazi

Nisma është propozuar nga Partia Socialiste, me synimin për të përmirësuar shëndetin publik dhe për të reduktuar pabarazitë, në një kohë kur kostot e kontracepsionit vazhdojnë të përballohen kryesisht nga gratë.

“Dy personat që kryejnë marrëdhënie seksuale janë përgjegjës për mbrojtjen ndaj një shtatzënie të padëshiruar, por kostot nuk ndahen mes tyre”, thekson deputetja Jacklean Kalibala. Sipas saj, financimi i kontracepsionit përmes taksave do të mundësonte që këto kosto të përballoheshin nga shoqëria në tërësi.

Kostoja mujore mund të jetë pengesë

Mbështetësit e nismës argumentojnë se kostoja e kontracepsionit mund të përbëjë një pengesë për parandalimin e shtatzënive të padëshiruara, veçanërisht për personat që ndodhen në situata të vështira ekonomike, ku përfshihet një pjesë e konsiderueshme e të rinjve.

Një studente e intervistuar nga RTS tha se shpenzimi mujor për kontracepsionin është i konsiderueshëm, sidomos kur je ende në universitet. Ajo tregoi se gjatë një periudhe kur nuk kishte punë studentore kishte hezituar të merrte pilula kontraceptive, pasi kostoja ndikonte në vendimin e saj.

Edhe një i ri i intervistuar për këtë çështje vuri në dukje se jo të gjithë kanë prindër që mund t’i ndihmojnë financiarisht apo një punë që u mundëson t’i përballojnë këto shpenzime.

E djathta dhe Këshilli i Shtetit kundër nismës

Nëse miratohet, financimi publik i kontracepsionit do t’i kushtonte kantonit rreth 20 milionë franga në vit, sipas vlerësimeve të autoriteteve të Gjenevës. Kjo shifër nuk përfshin shpenzimet e menaxhimit të stokut dhe logjistikës.

Kostoja është një nga argumentet kryesore të kundërshtarëve. Me përjashtim të Partisë së Qendrës, partitë e djathta në Gjenevë kundërshtojnë nismën, duke argumentuar se kontracepsioni falas për të gjithë shkon shumë larg.

Presidenti i PLR Gjenevë, Pierre Nicollier, argumenton se jeta seksuale dhe organizimi i kontracepsionit i përkasin “përgjegjësisë individuale” dhe se nuk është roli i shtetit të ndërhyjë në këtë çështje.

Sipas tij, falasimi universal nuk është zgjidhja. Ai propozon që fokusi të vendoset te grupet ku ka më shumë raste të shtatzënive të padëshiruara dhe te forcimi i masave parandaluese.

Edhe Këshilli i Shtetit i Gjenevës u bën thirrje qytetarëve ta refuzojnë nismën. Sipas tij, një kontracepsion falas për të gjithë, pa dallim të të ardhurave apo moshës, nuk është përgjigjja e duhur, pasi nga masa do të përfitonin edhe personat me të ardhura më të larta.

Një gabim në Parlament hoqi nga votimi kundërprojektin

Më 27 shtator, qytetarët e Gjenevës do të votojnë vetëm për nismën. Fillimisht, Komisioni i Shëndetësisë i Këshillit të Madh kishte hartuar edhe një kundërprojekt, i cili parashikonte kontraceptivë falas vetëm për prezervativët.

Por gjatë votimit në parlamentin kantonal ndodhi një gabim procedural. Deputetët e rrëzuan kundërprojektin duke menduar se po votonin për vetë nismën.

Si pasojë, kundërprojekti nuk do të jetë në fletën e votimit. Kështu, më 27 shtator qytetarët e Gjenevës do të përballen me një zgjedhje të drejtpërdrejtë: ta pranojnë ose ta refuzojnë nismën për kontraceptivë falas për të gjithë/albinfo.ch/