Lajme

Mungesë vendesh në burgje, St. Galleni rihap dy burgje të vjetra

Kantoni i St. Gallenit po përballet me mungesë të theksuar të vendeve në burgje. Për të lehtësuar situatën, autoritetet kanë vendosur të rihapin dy burgje të vjetra në Bazenheid dhe Uznach, duke krijuar 26 vende shtesë, përcjell albinfo.ch.

Sipas SRF-së, burgjet do të rihapen në shtator dhe do të përdoren për personat në paraburgim dhe në ndalim për arsye sigurie.

Vendimi vjen në një kohë kur sistemi penitenciar në Zvicër është nën presion të madh. Në fillim të vitit 2026, në burgjet zvicerane ndodheshin më shumë persona se asnjëherë më parë, ndërsa shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve, sipas të dhënave federale të cituara nga SRF, ka arritur në 97 për qind.

Situata në St. Gallen ka qenë edhe më e rënduar. Kapacitetet e burgjeve të kantonit kanë kaluar 100 për qind, duke detyruar autoritetet që në disa qeli të vendosin shtretër shtesë.

Me rihapjen e burgjeve në Bazenheid dhe Uznach, kantoni pret që niveli i shfrytëzimit të kapaciteteve të zbresë përsëri pak nën 100 për qind.

Presioni i madh ka ndikuar edhe te punonjësit e burgjeve. Remo Breitenmoser, drejtues i burgjeve policore në kantonin St. Gallen, ka thënë për SRF se personeli kishte arritur në kufijtë e ngarkesës.

Sipas tij, numri më i madh i të burgosurve e vështirëson shpërndarjen e ushqimit, kujdesin mjekësor dhe aktivitetet e përditshme. Mbipopullimi në hapësira të kufizuara sjell gjithashtu më shumë konflikte mes të burgosurve.

Rihapja e dy objekteve do t’i kushtojë kantonit rreth 870 mijë franga deri në fund të këtij viti. Parlamenti kantonal e ka miratuar tashmë kredinë shtesë.

Autoritetet theksojnë se Bazenheid dhe Uznach do të jenë vetëm zgjidhje të përkohshme. Ato pritet të funksionojnë derisa të përfundojë zgjerimi i burgut rajonal në Altstätten, i cili, pas vonesave disavjeçare, pritet të jetë gati në fillim të vitit 2028.

Mungesa e vendeve në burgje nuk është problem vetëm i St. Gallenit. Kantone të tjera, përfshirë Lucernën dhe Basel-Landschaft, kanë përdorur burgje të përkohshme me kontejnerë, ndërsa edhe Berna ka vendosur të ndjekë një zgjidhje të ngjashme./albinfo.ch/