Gruaja

Studentja e Universitetit të Tetovës përzgjidhet në programin ndërkombëtar kërkimor në Dresden

Vesa Fetai do të marrë pjesë në programin "Dive Into Research @Dresden" në Gjermani

Studentja e Universitetit të Tetovës, Vesa Fetai, është përzgjedhur për të marrë pjesë në programin ndërkombëtar kërkimor “Dive Into Research @Dresden”, i cili zhvillohet në Dresden të Gjermanisë.

Sipas njoftimit të Universitetit të Tetovës, Fetai është studente e ciklit të dytë në programin studimor Matematikë, në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, përcjell albinfo.ch.

Programi këtë vit zhvillohet me temën “Combinatorics in Algebraic Statistics and Game Theory” dhe u mundëson pjesëmarrësve të angazhohen në tema të kërkimit bashkëkohor, nën udhëheqjen e mentorëve dhe studiuesve me përvojë.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shkëmbejnë njohuri dhe ide me studentë dhe studiues nga komuniteti akademik ndërkombëtar, si dhe të krijojnë kontakte të reja profesionale.

Sipas Universitetit të Tetovës, pjesëmarrja e Fetait në këtë program paraqet një hap të rëndësishëm në zhvillimin e saj akademik dhe kërkimor, duke i ofruar mundësi për zgjerimin e njohurive dhe përvojës shkencore.

Universiteti i Tetovës ka theksuar se pjesëmarrja e studentëve në programe të tilla ndërkombëtare dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe të krijimit të mundësive të reja për studentët.