Skip to content

Studiuesja shqiptare Elza Shipoli doktoron në Universitetin “Pázmány Péter” në Hungari

Disertacioni i saj trajton qeramikën e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme në Ballkan, me fokus të veçantë në studimin krahasues të qeramikës së Kosovës.

Studiuesja shqiptare Elza Shipoli ka mbrojtur me sukses doktoraturën në Histori në Universitetin Katolik Pázmány Péter në Budapest të Hungarisë, duke shënuar një arritje të rëndësishme në karrierën e saj akademike dhe në fushën e studimeve arkeologjike, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga Dega e Historisë në Institutin Albanologjik në Prishtinë, e cila ka njoftuar se mbrojtja është zhvilluar në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale, në kuadër të Shkollës së Doktoraturës në Histori, në programin e Arkeologjisë.

Disertacioni i saj mban titullin “Late Antique / Early Medieval Pottery in the Balkans: A Comparative Study of Kosovo Pottery” (Qeramika e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme në Ballkan: Një studim krahasues i qeramikës së Kosovës).

Përmes këtij punimi shkencor, Shipoli ka trajtuar zhvillimet arkeologjike dhe kulturore të një periudhe të rëndësishme historike, duke u përqendruar në qeramikën e Kosovës dhe krahasimin e saj me gjetjet arkeologjike në rajonin e Ballkanit.

Elza Shipoli është e angazhuar në fushën e albanologjisë dhe arkeologjisë, ndërsa ka kontribuar edhe në veprimtarinë hulumtuese të Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Mbrojtja e doktoraturës në një universitet ndërkombëtar përbën një tjetër arritje në rrugëtimin e saj akademik, si dhe një kontribut në studimin dhe dokumentimin shkencor të trashëgimisë arkeologjike të Kosovës./Albinfo.ch