Kosova

Arrestohet një person i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në vitin 2023

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale përmes një komunikate të përbashkët kanë bërë të ditur se është arrestuar edhe një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në tensionet e majit të vitit 2023.

Sipas njoftimit, ai është arrestuar në Zveçan, teksa ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat: Sulm ndaj personit zyrtar; Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizm; Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese dhe Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

“I.M. është arrestuar në Zveçan, pas ndërmarrjes së shumë veprimeve hetimore. Ai dyshohet për për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës do të ndërmarrin veprimet e nevojshme procedurale në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta ndërkombëtare”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.