Kosova

“Mora Fjal” e Shkurte Fejzës pjesë e filmit amerikan për Luftën e Kosovës

Kënga e njohur shqiptare pritet të dëgjohet në filmin “The Journalist Mission”, një produksion amerikan që trajton ngjarjet e Luftës së Kosovës

Kënga e njohur “Mora Fjal” e këngëtares Shkurte Fejza do të jetë pjesë e filmit të ri amerikan “The Journalist Mission”, i cili trajton ngjarjet dhe historinë e Luftës së Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Sipas informacionit të publikuar në rrjetet sociale, melodia e këngës së njohur është përdorur si frymëzim gjatë realizimit të skenarit të filmit.

“I gjithë skenari i ‘The Journalist Mission’ është shkruar me melodinë e ‘Mora Fjal’ nga e madhja Shkurte Fejza”, thuhet në publikimin që ka qarkulluar në rrjetet sociale.

Përfshirja e këngës së Shkurte Fejzës në një produksion amerikan përbën një tjetër moment të rëndësishëm për promovimin e kulturës dhe artit shqiptar në skenën ndërkombëtare.

“Mora Fjal” është një prej këngëve më të njohura të repertorit të Shkurte Fejzës dhe është e lidhur ngushtë me kujtesën kolektive shqiptare për periudhën e luftës në Kosovë.

Përmes filmit, zëri dhe arti shqiptar pritet të përcjellin historinë dhe emocionet e Kosovës edhe përtej kufijve, duke sjellë një pjesë të kujtesës dhe kulturës shqiptare në një produksion ndërkombëtar./Albinfo.ch