Kosova

BE reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit

Komisioni Evropian thotë se deklarata të tilla nuk ndihmojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Komisioni Evropian ka reaguar ndaj pyetjeve lidhur me deklaratat e fundit në Serbi për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke theksuar se veprime dhe deklarata të tilla nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Në një konferencë për media në Bruksel, zëdhënësja e BE-së për çështjet e jashtme, Anita Hipper, është pyetur nëse deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit mund të kenë pasoja për procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Hipper nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë për pasojat e mundshme, por ka rikujtuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i lidhur drejtpërdrejt me rrugëtimin evropian të të dyja vendeve.

“Do të nis me çështjen kryesore, ajo është deklarata e bërë, përfshirë atë për ndryshimin e rrjedhës së lumit. Këto veprime nuk e mbështesin qëllimin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të bëhet vetëm përmes dialogut. Po ashtu rikujtojmë se progresi në dialog mes Beogradit dhe Prishtinës është parakusht për avancim në rrugëtimin evropian”, ka deklaruar Hipper.

Gazetarët kanë kërkuar më pas sqarime nga Komisioni Evropian, duke e krahasuar këtë rast me reagimin e mëparshëm të BE-së ndaj zhvillimeve në Shqipëri lidhur me një projekt ndërtimi në Zvërnec, për të cilin ishte paralajmëruar se mund të kishte pasoja për procesin e integrimit evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ariana Podesta, ka thënë se BE-ja nuk dëshiron të spekulojë për ndikimet që çështje të veçanta mund të kenë në procesin e zgjerimit.

Nëse themi një gjë për një rast, nuk mund të them të njëjtën për rastin tjetër, sepse situatat janë të ndryshme”, ka deklaruar Podesta.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditët e fundit ka folur për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke përdorur edhe një gjuhë kërcënuese ndaj shqiptarëve.

Të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët pastaj”, ka deklaruar Vuçiq.

Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa çështja ka nxitur shqetësime për pasojat që një veprim i tillë do të mund të kishte në rajon.

Nga Komisioni Evropian, megjithatë, deri më tani nuk është dhënë një vlerësim i drejtpërdrejtë nëse një veprim i tillë do të ndikonte konkretisht në procesin e integrimit të Serbisë në BE./Albinfo.ch