Lajme

Rasti i kosovarit shtyn Kantonin Aargau të ndryshojë manualin për dhënien e pasaportës

Gjatë intervistës atij i ishin bërë 48 pyetje, ndërsa Gjykata Administrative e Aargaut konstatoi se 23 prej tyre nuk duhej t’i ishin bërë fare

Kantoni Aargau ka përditësuar manualin zyrtar për procedurat e natyralizimit, pas një vendimi të Gjykatës Administrative që lidhej me rastin e një kosovari në komunën Birr.

Kosovari, i cili ishte rritur në Zvicër dhe kishte jetuar prej fëmijërisë në të njëjtën komunë, kishte aplikuar për marrjen e shtetësisë zvicerane, por kërkesa e tij ishte refuzuar pas një interviste të zhvilluar nga autoritetet komunale, transmeton albinfo.ch. Gjatë kësaj interviste atij i ishin bërë gjithsej 48 pyetje, ndërsa Gjykata Administrative e Aargaut konstatoi më vonë se 23 prej tyre nuk duhej t’i ishin bërë fare.

Problemi kryesor ishte se kosovari e kishte kaluar tashmë testin zyrtar kantonal, përmes të cilit kontrollohen njohuritë e aplikantëve për sistemin politik, shoqërinë dhe realitetin zviceran. Pavarësisht kësaj, gjatë intervistës në komunë ai ishte pyetur sërish për tema që ishin vlerësuar më parë përmes testit, shkruan gazeta Aargauer Zeitung. Gjykata konstatoi se një praktikë e tillë nuk ishte e pranueshme.

Pas këtij vendimi, në manualin e ri të Aargaut është sqaruar se komunat nuk mund t’i testojnë përsëri aplikantët për njohuritë në nivel të Zvicrës dhe kantonit, nëse ata e kanë kaluar tashmë testin përkatës. Komunat vazhdojnë të kenë të drejtë të bëjnë pyetje që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe organizimin e komunës ku banon kandidati, por intervista nuk mund të shndërrohet në një përsëritje të testit kantonal.

Rasti i kosovarit nga Birr-i nuk mbeti kështu vetëm një mosmarrëveshje individuale. Vendimi i Gjykatës Administrative të Aargaut, i marrë më 16 dhjetor 2025, është reflektuar tashmë drejtpërdrejt në manualin e përditësuar të kantonit. Versioni i ri, i datës 30 qershor 2026, përmban udhëzime më të qarta që duhet të ndiqen nga komunat gjatë procedurave të ardhshme të natyralizimit.

Një tjetër pikë e rëndësishme ka të bëjë me personat që janë rritur dhe shkolluar në Zvicër. Sipas udhëzimeve të reja, nëse një aplikant e ka kryer shkollimin në Zvicër dhe flet rrjedhshëm gjermanisht, në parim duhet të supozohet se ai është i njohur me jetën dhe kushtet shoqërore në vend. Nëse një komunë pretendon të kundërtën, ajo duhet ta mbështesë këtë vlerësim me fakte konkrete.

Autoritetet gjithashtu nuk duhet të kërkojnë nga kandidati njohuri më të mëdha sesa ato që mund të priten nga një qytetar mesatar zviceran. Kjo pikë kishte rëndësi të veçantë edhe në rastin e kosovarit, i cili kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në Zvicër.

Manuali i ri përcakton gjithashtu se integrimi i një kandidati duhet të vlerësohet në mënyrë të përgjithshme dhe jo vetëm mbi bazën e një mangësie të vetme, përcjell albinfo.ch. Një aplikant nuk duhet të refuzohet automatikisht nëse ka dobësi në një fushë, ndërsa në fusha të tjera dëshmon integrim të mirë. Në vlerësim duhet të merren parasysh njohja e gjuhës, puna, përfshirja në shoqëri, njohuritë për vendin, respektimi i rendit juridik dhe rrethanat personale.

Para një refuzimi duhet të respektohet edhe parimi i proporcionalitetit, duke u peshuar të gjitha rrethanat konkrete të rastit.

Pas vendimit të gjykatës, përfaqësues të komunës Birr kishin deklaruar se kishin vepruar sipas udhëzimeve që ishin në fuqi në atë periudhë dhe kishin paralajmëruar se vendimi mund të ndikonte në praktikën e natyralizimeve në gjithë Aargaun, transmeton albinfo.ch. Kjo tashmë ka ndodhur.

Rasti i kosovarit ka sjellë ndryshim të udhëzimeve që do të përdoren nga të gjitha komunat e kantonit, duke kufizuar mundësinë që kandidatët të testohen disa herë për të njëjtat njohuri ose të refuzohen mbi kritere që tashmë i kanë përmbushur.

Ndryshimi është me rëndësi edhe për shtetasit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë që jetojnë prej vitesh në Zvicër dhe synojnë marrjen e shtetësisë zvicerane