Kosova

Kurti e Abdixhiku pa marrëveshje, përplasja mbetet te posti i presidentit

Kryetari i Vetëvendosjes thotë se kërkesat e LDK-së nuk përputhen me rezultatin zgjedhor, ndërsa Abdixhiku deklaron se partitë janë ende shumë larg një marrëveshjeje.

Takimi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa një marrëveshje për formimin e institucioneve, me të dy liderët që pranuan se qëndrimet e tyre mbeten larg njëra-tjetrës, transmeton albinfo.ch.

Pas takimit, Kurti deklaroi se ende nuk ka një marrëveshje politike, pasi pritjet dhe kërkesat e palëve nuk përputhen.

“Marrëveshje politike nuk e kemi ende, pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së”, ka deklaruar Kurti.

Në anën tjetër, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partitë janë “shumë, shumë, shumë larg” arritjes së një marrëveshjeje dhe se pa ndryshim të pozicioneve politike nuk pret zhvillime pozitive.

“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshjeje eventuale. Nuk pres që të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje”, u shpreh Abdixhiku.

Ai theksoi se qëllimi i LDK-së ka qenë gjetja e një zgjidhjeje afatgjatë për krizën politike, duke shtuar se zhvillimet aktuale nuk po çojnë në atë drejtim.

Sipas Abdixhikut, pika kryesore e mosmarrëveshjes mbetet posti i presidentit. Ai bëri të ditur se LDK-ja ka kërkuar që e drejta për propozimin e kandidatit për president t’i takojë kësaj partie.

“LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë”, tha ai.

Abdixhiku shtoi se oferta e mëhershme e Vetëvendosjes për poste në qeveri nuk është e pranueshme për LDK-në dhe nuk ofron një zgjidhje të qëndrueshme politike.

“Sapo që pajtohemi që propozimi për president të vijë nga LDK, atëherë bashkë me Kurtin e caktojmë atë emër. Nuk po flasim për mbështetje pa kushte, por për një marrëveshje politike”, deklaroi kreu i LDK-së.

Takimi mes dy liderëve u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare, por pa prodhuar ndonjë marrëveshje konkrete./Albinfo.ch