Kosova

Bedri Hamza e Ardian Gjini i thonë “jo” ftesës së Kurtit

PDK dhe AAK refuzojnë takimin me Kurtin, Hamza e Gjini mbeten në qëndrimet e tyre

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka refuzuar sërish ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim lidhur me formimin e institucioneve të reja, përcjell albinfo.ch.

Në letrën e tij drejtuar Kurtit, Hamza ka ritheksuar se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se partia do të vazhdojë ta ushtrojë rolin e saj në opozitë.

“Për shkak të dallimeve programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Ai i ka bërë thirrje Kurtit që, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.

Ndërkohë, sipas burimeve të Klan Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar ftesë për takim edhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, duke e ftuar në një takim në orën 18:00.

Megjithatë, sipas të njëjtave burime, edhe kjo ftesë është refuzuar. Pritet që Gjini të deklarohet gjatë ditës dhe të sqarojë nëse do ta konfirmojë zyrtarisht komunikimin me Kurtin dhe arsyet e refuzimit.

Këto zhvillime po ndodhin në ditën e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike vazhdojnë. /Albinfo.ch