Kosova

Kurti dhe Abdixhiku nisin takimin vendimtar për formimin e institucioneve

Kurti e Abdixhiku nisin takimin në Kuvend

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë nisur takimin në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutojnë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja, transmeton albinfo.ch.

Para fillimit të takimit, Kurti u shpreh shkurt para gazetarëve, duke thënë se “pa arritur marrëveshje nuk ka lajme”, ndërsa Abdixhiku deklaroi se do të flasë për mediat pas përfundimit të takimit.

Ky takim zhvillohet në ditën e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i cili skadon sonte në mesnatë.

Ndërkohë, Kuvendi ende nuk ka bërë të ditur se kur do të vazhdojë seanca konstituive e legjislaturës së 11-të, e cila u ndërpre një ditë më parë pasi Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare, me synim arritjen e një marrëveshjeje, veçanërisht për çështjen e presidentit të vendit.

Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut shihet si një tjetër përpjekje për të zhbllokuar ngërçin politik dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja të Kosovës. /Albinfo.ch