Lajme

I dëbuar për tentativë vrasjeje, kosovari burgoset sërish pas hyrjes në Gjermani

Ai qe informuar se nëse kthehej në Gjermani, do të vuante pjesën e mbetur të dënimit. "Pikërisht kjo ndodhi kur ai kaloi kufirin gjermano-austriak"

Një burrë nga Kosova, i dënuar për tentativë vrasjeje dhe i deportuar, hyri përsëri ilegalisht në Gjermani nëpërmjet vendkalimit Kiefersfelden (rrethi i Rosenheim). Ai tani është përsëri në burg.

Të mërkurën, Policia Federale në Rosenheim ndaloi një makinë në autostradën A93 pranë Kiefersfeldenit, transmeton albinfo.ch. Gjatë kontrollit të identitetit, policët zbuluan se kishte një urdhër arresti për pasagjerin e një automjeti të regjistruar në Kosovë. Ai po mbahet në burg për tentativë vrasjeje.

Udhëtoi përsëri në Gjermani pavarësisht deportimit

Sipas policisë, Gjykata e Landit e Ulmit e kishte dënuar tashmë burrin tani 38-vjeçar me gjashtë vjet burg në vitin 2014, shkruan pnp.de. Pasi vuajti një pjesë të dënimit në një qendër korrektuese të Baden-Württemberg, ai u deportua në vendin e tij të lindjes.

Me atë rast ai u informua se nëse kthehej në Gjermani, do të detyrohej të vuante pjesën e mbetur të dënimit. “Pikërisht kjo ndodhi kur ai kaloi kufirin gjermano-austriak”, raportoi Policia Federale.

Policia Federale e Rosenheimit e transferoi kosovarin në qendrën korrektuese të Bernau-s, përcjell albinfo.ch. Ai pritet të qëndrojë atje për 341 ditë – deri në fillim të korrikut 2027.