Lajme
BE sanksionon AliExpress me 550 milionë euro për shitjen e produkteve të paligjshme
Bashkimi Evropian i ka shqiptuar platformës kineze të tregtisë online AliExpress një gjobë prej 550 milionë eurosh, pasi konstatoi se ajo ka lejuar shitjen e produkteve të paligjshme, përfshirë lodra të rrezikshme dhe veshje të falsifikuara, për konsumatorët evropianë.
Komisioni Evropian njoftoi se AliExpress nuk ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Akti për Shërbimet Digjitale (DSA), i cili kërkon që platformat online të identifikojnë, vlerësojnë dhe minimizojnë rreziqet që lidhen me shitjen e produkteve të paligjshme, të rrezikshme ose të falsifikuara.
Sipas Komisionit, hetimi, i nisur në mars të vitit 2024, zbuloi se sistemi i AliExpress për identifikimin dhe largimin e produkteve të ndaluara nuk funksiononte në mënyrë efektive. Autoritetet evropiane thanë se në platformë u gjetën një numër i madh mallrash të falsifikuara, si dhe lodra dhe produkte kozmetike të rrezikshme, të cilat mbetën në shitje për një periudhë të gjatë.
Nënkryetarja e Komisionit Evropian për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen, deklaroi se mbrojtja e konsumatorëve mbetet prioritet dhe se platformat online duhet të garantojnë një treg të sigurt për qytetarët evropianë.
Nga ana tjetër, AliExpress e kundërshtoi vendimin dhe e cilësoi gjobën si joproporcionale. Në një deklaratë për agjencinë AFP, kompania tha se nuk pajtohet me konkluzionet e Komisionit dhe se ka ndërmarrë masa të rëndësishme për të luftuar shitjen e produkteve të paligjshme. Kompania nuk bëri të ditur nëse do ta apelojë vendimin.
Kjo është gjoba më e madhe e vendosur deri më tani nga Bashkimi Evropian në bazë të Aktit për Shërbimet Digjitale, i cili hyri në fuqi në vitin 2022.
Më herët, në fund të muajit maj, Komisioni Evropian gjobiti edhe platformën kineze Temu me 200 milionë euro për shkelje të ngjashme, ndërsa në fund të vitit 2025 rrjeti social X u ndëshkua me 120 milionë euro për mosrespektim të detyrimeve të transparencës sipas të njëjtit ligj.
Komisioni Evropian theksoi se masat nuk kanë të bëjnë me origjinën e kompanive, por me respektimin e rregullave të përbashkëta. Sipas zyrtarëve evropianë, të gjitha platformat që operojnë në tregun e Bashkimit Evropian duhet t’u përmbahen të njëjtave standarde ligjore, pavarësisht nëse janë me seli në Kinë, Shtetet e Bashkuara apo në Evropë.
E-Diaspora
-
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore Shkëmbimet tregtare mes Zvicrës dhe Kosovës kanë shënuar zhvillim dinamik gjatë viteve të fundit. Vetëm në... -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026 -
“Re:Connect” bashkoi 16 të rinj nga Zvicra dhe Kosova në Prizren
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?











