Lajme

BE-ja pritet të arrijë kulmin e popullsisë deri në vitin 2029, më pas nis rënia demografike

Bashkimi Evropian pritet të arrijë kulmin historik të popullsisë së tij deri në vitin 2029, përpara se të hyjë në një periudhë të rënies së vazhdueshme demografike. Kjo është një nga përfundimet kryesore të një raporti të publikuar të martën nga Qendra e Përbashkët Kërkimore (Joint Research Centre), institucion i Komisionit Evropian.

Aktualisht, BE-ja numëron rreth 450.6 milionë banorë. Sipas parashikimeve, popullsia do të rritet lehtë deri në 453.3 milionë banorë në vitin 2029, për të nisur më pas një rënie graduale, por të qëndrueshme. Deri në vitin 2050, popullsia pritet të zbresë në 445 milionë, ndërsa në fund të shekullit, në vitin 2100, do të arrijë në rreth 398.8 milionë banorë, një nivel i ngjashëm me atë të gjysmës së dytë të viteve 1970.

Jetëgjatësia vazhdon të rritet

Ndërkohë që numri i banorëve pritet të bjerë, evropianët po jetojnë më gjatë se kurrë më parë. Në vitin 2024, jetëgjatësia mesatare në BE arriti në 81.5 vjet, falë përparimeve në mjekësi dhe përmirësimit të kushteve të jetesës.

Sipas raportit, deri në vitin 2100, jetëgjatësia mund të kalojë 90 vjet për gratë dhe 86 vjet për burrat. Gjithashtu, një fëmijë i lindur në BE gjatë vitit 2023 mund të presë të jetojë mesatarisht 75.3 vjet pa sëmundje serioze.

Një në tre banorë do të jetë mbi 65 vjeç

Plakja e popullsisë po ndryshon ndjeshëm strukturën demografike të kontinentit. Deri në vitin 2050, pothuajse një në tre banorë të Bashkimit Evropian do të jetë 65 vjeç ose më i moshuar, krahasuar me raportin aktual prej një në pesë.

Sfidat ekonomike

Komisioni Evropian vlerëson se këto ndryshime do të sjellin sfida të mëdha ekonomike dhe sociale, duke përfshirë mungesën e fuqisë punëtore, presionin mbi financat publike, si dhe ngarkesë më të madhe për sistemet e kujdesit shëndetësor, arsimit dhe trajnimit profesional.

Aktualisht, rreth 20 për qind e personave në moshë pune në BE janë jashtë tregut të punës. Norma e punësimit për gratë mbetet 10 pikë përqindjeje më e ulët se ajo e burrave, ndërsa rreth 8 milionë të rinj nuk janë as të punësuar, as në arsim dhe as në trajnim.

Sipas raportit, rritja e produktivitetit dhe ulja e papunësisë do të jenë vendimtare për të zbutur efektet e tkurrjes së popullsisë në moshë pune. Edhe pse emigracioni ndihmon pjesërisht në kompensimin e këtij fenomeni, ai nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm prirjen afatgjatë demografike të Bashkimit Evropian.

“Ekonomia e argjendtë”, një mundësi e re

Raporti thekson se plakja e popullsisë krijon edhe mundësi të reja ekonomike, veçanërisht përmes zhvillimit të të ashtuquajturës “ekonomi e argjendtë” (silver economy), e cila përfshin produkte dhe shërbime të dedikuara për të moshuarit, si dhe inovacione në fushën e shëndetësisë dhe teknologjisë.

“Po jetojmë më gjatë dhe më shëndetshëm se kurrë më parë. Por duhet të veprojmë tani që ta shndërrojmë këtë transformim në një mundësi,” deklaroi Komisionerja Evropiane për Mesdheun, Dubravka Suica.