Shqipëria pritet të shënojë sot një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, me mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, transmeton albinfo.ch.
Gjatë Konferencës së nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila do të mbahet në Bruksel, delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama do të formalizojë mbylljen e kapitullit 25 (Shkenca dhe Kërkimi), kapitullit 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe kapitullit 30 (Marrëdhëniet me Jashtë). Këto fusha konsiderohen tashmë të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian.
Konferenca është planifikuar të nisë në orën 19:00, ndërsa një orë më vonë do të mbahet një konferencë për media, ku do të prezantohen zhvillimet më të fundit në procesin e negociatave.
Mbyllja e këtyre kapitujve vjen pasi Shqipëria përmbushi piketat e ndërmjetme (IBAR), të cilat përbëjnë një fazë kyçe në negociatat me BE-në.
Pas këtij hapi, vendi do të vijojë punën për përmbushjen e kushteve të nevojshme për mbylljen e 30 kapitujve të tjerë, me synimin që procesi teknik i negociatave të përfundojë deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian do të kërkojë edhe miratimin unanim të të 27 shteteve anëtare./Albinfo.ch