Futboll

Futbollisti zviceran pritet të transferohet për 70 milionë euro

Manzambi ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane pas paraqitjeve të shkëlqyera me Zvicrën në Kupën e Botës 2026

Ylli i ri i Zvicrës, Johan Manzambi, duket se është pranë një transferimi surprizë te Aston Villa, edhe pse deri para pak ditësh gjithçka tregonte se ai do t’i bashkohej Newcastle United.

Sipas raportimeve të fundit, Newcastle kishte arritur marrëveshje me SC Freiburg për transferimin e 20-vjeçarit, por lojtari nuk arriti marrëveshje për kushtet personale me klubin anglez. Në këtë situatë ka hyrë Aston Villa, e cila ka bindur si lojtarin ashtu edhe Freiburgun, transmeton albinfo.ch.

Mediat gjermane dhe britanike raportojnë se Aston Villa do të paguajë afro 70 milionë euro, përfshirë bonuset, një shumë që do ta bënte këtë shitjen më të shtrenjtë në historinë e Freiburgut.

Manzambi ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane pas paraqitjeve të shkëlqyera me Zvicrën në Kupën e Botës 2026, ku shënoi tre gola dhe u shndërrua në një nga zbulimet më të mëdha të turneut. Megjithatë, një dëmtim në gju e la jashtë ndeshjeve vendimtare të fazës eliminatore.

Nëse transferimi finalizohet, Aston Villa do t’i fitojë garën Newcastle United për një nga talentet më të kërkuar të futbollit evropian këtë verë.