Skip to content

Volkswagen drejt mbylljes së disa fabrikave në Gjermani? Rreth 40 mijë vende pune në rrezik

Volkswagen po përgatit një plan të gjerë ristrukturimi që mund të sjellë mbylljen e prodhimit në disa nga fabrikat e tij në Gjermani, duke vënë në rrezik rreth 40 mijë vende pune, raportojnë mediat gjermane, përcjell albinfo.ch.

Sipas revistës Der Spiegel, e cila i referohet burimeve nga bordi mbikëqyrës i kompanisë, drejtori ekzekutiv Oliver Blume synon të ndalojë prodhimin në fabrikat e Zwickau dhe Emden gjatë pesë viteve të ardhshme. Plani parashikon gjithashtu mbylljen e fabrikës së automjeteve komerciale në Hannover në vitin 2032, si dhe të fabrikës së Audi në Neckarsulm në vitin 2034.

Katër fabrikat e përfshira në plan punësojnë së bashku rreth 40 mijë punëtorë, ndërsa strategjia e re e grupit parashikon edhe shkurtimin e afro 50 mijë vendeve të punës në të gjithë kompaninë deri në vitin 2030.

Sipas analistëve, këto propozime përfaqësojnë një nga transformimet më të mëdha në historinë e prodhuesit gjerman të automjeteve. Plani pritet të diskutohet në mbledhjen e bordit mbikëqyrës në Wolfsburg.

Ndërkohë, sindikata e fuqishme gjermane IG Metall ka kundërshtuar ashpër projektin e ristrukturimit dhe ka bërë thirrje për protesta. Një tubim është paralajmëruar të mbahet në Wolfsburg, në të njëjtën ditë kur bordi do të shqyrtojë propozimet./Albinfo.ch