Kosova do të mbetet edhe këtë vit jashtë Eurovisionit, pasi Radio Televizioni i Kosovës (RTK) nuk arriti të sigurojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU), pavarësisht ndryshimeve të fundit statutore të miratuara nga organizata, përcjell albinfo.ch.
Në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së u pranua Kanadaja si anëtare e plotë, ndërsa Katalonisë iu krijua mundësia e anëtarësimit si “anëtare ndihmëse”. Megjithatë, kërkesa e RTK-së nuk mori dritën jeshile.
U.d. drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, bëri të ditur se gjatë Asamblesë ka zhvilluar takime me drejtues të EBU-së, të cilët kanë shprehur gatishmëri që kërkesa e Kosovës të shqyrtohet më tej.
RTK ka theksuar se do të vazhdojë përpjekjet për anëtarësim në EBU, me synimin që Kosova të fitojë të drejtën e pjesëmarrjes në Eurovision në të ardhmen./Albinfo.ch