Juristi kosovar, Yll Sadiku, ka njoftuar se ka përfunduar me sukses studimet e nivelit Master në Harvard Law School në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.
Përmes një njoftimi publik, Sadiku shprehu lumturinë për këtë arritje akademike, duke e cilësuar përvojën në një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në botë si një nder dhe privilegj të veçantë.
Ai falënderoi familjen, miqtë dhe kolegët për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se pa ndihmën e tyre ky rrugëtim nuk do të ishte i mundur.
“Jam i lumtur t’ju njoftoj se kam përfunduar me sukses studimet e Master-it në Harvard Law School. Falënderoj familjen, miqtë dhe kolegët, pa mbështetjen e të cilëve ky rrugëtim do të ishte i pamundur”, ka shkruar Sadiku.
Në mesazhin e tij, ai kujtoi gjithashtu se Harvard University është universiteti më i vjetër në SHBA, duke shtuar se të qenit pjesë e këtij institucioni ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme akademike dhe profesionale./Albinfo.ch
