Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar udhëzimet zyrtare për të gjithë bashkatdhetarët jashtë vendit që kanë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Votimi nëpër përfaqësitë diplomatike do të organizohet një ditë para ditës zyrtare të zgjedhjeve në Kosovë, më 6 qershor 2026, shkruan albinfo.ch.
Për të siguruar që vota juaj të jetë e vlefshme, njoftohuni me hapat dhe rregullat kryesore të këtij procesi:
Kush ka të drejtë vote?
Të drejtë votimi në përfaqësitë diplomatike kanë vetëm personat që janë regjistruar me sukses paraprakisht për të votuar përmes kësaj metode.
Për t’u identifikuar në qendrën e votimit, secili votues duhet të ketë me vete një dokument të vlefshëm identifikues të lëshuar nga Republika e Kosovës:
Letërnjoftim
Pasaportë
Leje e vozitjes
Si të plotësoni fletëvotimin saktë?
Me të marrë fletëvotimin, ndiqni me kujdes këto hapa për të parandaluar shpalljen e votës së pavlefshme:
Verifikoni vulën: Pasi të pranoni fletëvotimin, sigurohuni që ai të jetë i vulosur në pjesën e pasme.
Zgjidhni subjektin: Në anën e majtë të fletëvotimit, shënjoni vetëm një (1) subjekt politik.
Zgjidhni kandidatët: Në anën e djathtë të fletëvotimit, mund të shënjoni deri në dhjetë (10) kandidatë për deputetë të po atij subjekti politik. Në kabinën e votimit do të gjeni broshurën me emrat dhe numrat e kandidatëve.
Shënim: Nëse keni bërë ndonjë gabim gjatë plotësimit, mund të kërkoni ndërrimin e fletëvotimit.
Për të mbrojtur fshehtësinë e votës suaj, paloseni fletëvotimin para se të largoheni nga kabina dhe më pas vendoseni në kutinë e votimit.
Orari zyrtar i votimit
Sipas njoftimit zyrtar të konsullatës:
Votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00 sipas orës lokale të shtetit përkatës.



