Katër persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur në qarkoren Radishan–Prishtinë–Mirkovcë në Maqedoninë e Veriut, ku janë përfshirë një veturë e tipit BMW dhe një kamion me targa të Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Sipas raportimeve të mediave lokale, përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme, ndërsa menjëherë pas goditjes vetura BMW është përfshirë nga flakët. Si pasojë, katër personat që ndodheshin brenda saj kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes.
“Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke bërë që automjeti BMW të përfshihet menjëherë nga flakët. Katër personat që ndodheshin brenda veturës nuk kanë arritur të shpëtojnë”, raportojnë mediat.
Nga goditja e fuqishme, edhe kamioni me targa të Kosovës ka dalë jashtë rrugës dhe është ndalur pranë anës së qarkores. Deri më tani nuk ka të dhëna të plota lidhur me gjendjen e drejtuesit të kamionit apo identitetin e viktimave.
Në vendngjarje kanë dalë njësi të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe emergjente, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik./Albinfo.ch