Kosova
Pesë shtete të BE-së propozojnë anëtarësim “hap pas hapi” për Ballkanin Perëndimor
Austria, Italia, Çekia, Sllovakia dhe Sllovenia kërkojnë integrim gradual në tregun e vetëm të BE-së, për të frenuar ndikimin rus në rajon
Pesë vende të Bashkimit Evropian kanë propozuar një qasje të re për procesin e zgjerimit, duke kërkuar që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE “hap pas hapi”, përmes përfshirjes graduale në tregun e vetëm evropian, përcjell albinfo.ch.
Austria, Republika Çeke, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia, në një dokument konfidencial të qarkulluar mes 27 shteteve të BE-së në Bruksel, kanë kërkuar nga Komisioni Evropian që të rishqyrtojë mënyrën se si vendet aspirante për anëtarësim përfshihen në politikat dhe programet e unionit.
Sipas dokumentit, një qasje e tillë do të ndihmonte që Ballkani Perëndimor të mbetet i lidhur me perspektivën evropiane dhe të mos bie nën ndikimin e Rusisë apo vendeve të tjera të treta.
“Për të ruajtur vrullin e zgjerimit dhe për të çuar përpara integrimin evropian, nevojiten stimuj të fortë dhe tërheqës”, thuhet në dokumentin e përbashkët.
Shtetet propozuese e quajnë këtë model “integrim sistematik sektorial”, i cili do t’u mundësonte vendeve si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia të kenë qasje graduale në sektorë të caktuar të tregut evropian, varësisht nga përputhja e tyre me standardet dhe rregulloret e BE-së, kapitull pas kapitulli.
Dokumenti parashikon që integrimi gradual të realizohet në mënyrë aktive, sapo një vend kandidat të demonstrojë nivel të lartë përputhjeje me rregullat evropiane në sektorët përkatës, por njëkohësisht kërkon edhe masa mbrojtëse, në rast se një vend “rrëshqet prapa” në reformat e kërkuara.
Sektorë të rinj për integrim të pjesshëm
Në dokument përmenden disa fusha që mund të hapen për vendet e Ballkanit Perëndimor, si:
- tregjet e transportit
- energjia dhe energjia elektrike
- tregu i vetëm digjital
- politikat e konkurrencës
- politikat për lëndët e para kritike
Po ashtu, autorët e dokumentit përmendin edhe marrëveshjen për lëvizshmërinë e të rinjve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si një shembull që mund të shërbejë për krijimin e përfitimeve konkrete edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, ideja e propozuar konsiderohet më pak ambicioze se sugjerimi i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili së fundmi ka propozuar që vendet kandidate të fitojnë statusin e vëzhguesit në institucionet e BE-së, teksa mbyllin kapitujt e negociatave.
Analisti Milan Nic nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë ka shprehur skepticizëm, duke thënë se dokumenti nuk paraqet ndonjë risi të madhe dhe është vetëm një version më i sofistikuar i ideve të mëhershme për integrim gradual.
Autorët i kanë bërë thirrje komisioneres për zgjerim, Marta Kos, që të dalë me ide të reja në këtë drejtim, duke theksuar se kjo qasje do ta forconte tregun e vetëm dhe do ta rriste autonominë strategjike të BE-së, ndërkohë që do t’i afronte më shumë vendet kandidate dhe do të ndihmonte në kundërshtimin e ndikimit të vendeve të treta në rajon./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
UHZ dhe ABSM hapin një kapitull të ri bashkëpunimi për aftësim profesional Njohuritë akademike synohet të plotësohen me kompetenca që studentët mund t’i përdorin drejtpërdrejt në zhvillimin e... -
SHKASH “Xheladin Zeqiri” nga Tetova prezanton folklorin shqiptar në Qipro -
Gjenevë: Ministri Hoti merr pjesë në aktivitetet kushtuar viktimave të zhdukjes me forcë -
Punëson kosovarin “pa letra”: Ja sa gjobiten punëdhënësi dhe punëtori -
Paditen dy shoferët kosovarë të autobusit, punonin pa licencë në Austri
Jeta në Austri
-
Vjena shqyrton qasjen falas në të gjitha tualetet publike Vjena po shqyrton nëse do t’i bëjë tualetet publike falas në të gjitha aspektet. Vlerësimi është... -
Paditen dy shoferët kosovarë të autobusit, punonin pa licencë në Austri -
Turizmi veror: Austria ka regjistruar 41.87 milionë net-qëndrime -
Çfarë nënkuptojnë rregullat e reja të BE-së për patentën e shoferit për Austrinë? -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë













