Kosova

Hykmete Bajrami reagon pas vendosjes në numrin 12 në listën e LDK-së

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojë me numrin 12 në listën zgjedhore të LDK-së.

Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se renditja në listë nuk përbën shqetësim personal për të, ani pse, sipas saj, është vendosur pas individëve që “deri dje e kanë luftuar LDK-në”.

Ajo theksoi se qëndrimi i saj në LDK nuk lidhet me interesa personale apo pozicione politike, por me bindjen se LDK-ja është “më e madhe se çdo individ dhe çdo rrethanë”. Bajrami kujtoi se është zgjedhur deputete shtatë herë dhe se nuk e ka braktisur asnjëherë partinë, as në periudha të vështira, transmeton albinfo.ch.

Sipas saj, beteja politike nuk është për renditje në listë apo fitore personale, por për “një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit”, për institucione të pavarura dhe për një shtet të fortë.

Në fund, Bajrami u bëri thirrje qytetarëve që të analizojnë listën prej 110 kandidatëve të LDK-së dhe më 7 qershor të votojnë këtë subjekt politik.