Lajme
Autoritetet e Austrisë dhe Shqipërisë çmontojnë rrjet kriminal të mashtrimeve online me vlerë 50 milionë euro, 10 të arrestuar
Autoritetet austriake dhe shqiptare, me mbështetjen e Europol-it dhe Eurojust-it, kanë çmontuar një rrjet kriminal që dyshohet se ka kryer mashtrime të mëdha online me vlerë të paktën 50 milionë euro. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 10 persona dhe janë sekuestruar rreth 900 mijë euro në para të gatshme, si dhe pajisje të shumta teknologjike.
Sipas hetimeve, rrjeti kriminal operonte disa call center në Tiranë, Shqipëri, të organizuara në mënyrë profesionale dhe të strukturuara ngjashëm me biznese legale, me ndarje të qartë rolesh dhe hierarki të brendshme, njofton europol, transmeton albinfo.ch.
Si funksiononte mashtrimi
Viktimat rekrutoheshin përmes reklamave të rreme në internet dhe rrjete sociale, ku u premtoheshin investime fitimprurëse në platforma online të rreme. Pasi regjistroheshin, atyre u caktoheshin “agjentë mbajtës” që paraqiteshin si këshilltarë investimesh.
Këta persona i manipulonin viktimat për një periudhë të gjatë, shpesh duke përdorur programe për qasje në distancë në pajisjet e tyre, duke marrë kështu kontroll të plotë. Paratë e investuara nuk shkonin në tregje reale, por përfundonin në një skemë të komplikuar të pastrimit të parave.
Strukturë e organizuar si kompani
Rrjeti kriminal kishte deri në 450 punonjës të ndarë në sektorë të ndryshëm si: përvetësimi i klientëve, shërbimi ndaj klientit, IT, financa dhe burime njerëzore. Operatorët punonin në grupe gjuhësore (gjermanisht, anglisht, italisht, greqisht dhe spanjisht) për të fituar besimin e viktimave në vende të ndryshme, transmeton albinfo.ch.
Punonjësit merrnin pagë mujore rreth 800 euro, plus komisione për çdo “kontratë” të suksesshme mashtruese.
Mashtrime të përsëritura ndaj viktimave
Hetimet tregojnë se viktimat shpesh kontaktoheshin sërish pas humbjeve të para, duke u mashtruar edhe një herë me premtime për rikthim të fondeve. Në disa raste, atyre u kërkohej të depozitonin para në platforma kriptomonedhash.
Operacion i përbashkët ndërkombëtar
Hetimi filloi në Austri në vitin 2023 pas shumë ankesave nga qytetarë në Vjenë. Më pas, përmes Europol-it, autoritetet austriake kërkuan ndihmë nga Shqipëria, duke identifikuar IP adresa të lidhura me rrjetin kriminal.
Operacioni i përbashkët kulmoi më 17 prill 2026, kur u kryen kontrolle në disa ambiente në Tiranë, duke çuar në arrestimin e 10 personave dhe sekuestrimin e:
891,735 euro në para të gatshme
443 kompjuterë
238 telefona mobilë
6 laptopë
pajisje dhe media të ndryshme digjitale
Viktimat e këtij mashtrimi janë raportuar në shumë vende të Evropës dhe botës, përfshirë Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Spanjën, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Autoritetet theksojnë se analiza e të dhënave të sekuestruara pritet të zbulojë më shumë detaje mbi funksionimin e rrjetit kriminal dhe bashkëpunëtorët e tij ndërkombëtarë.
E-Diaspora
-
Katër vëllezërit Popova – një histori suksesi që vazhdon prej 27 vitesh Historia e familjes Popova është histori e punës, përkushtimit dhe dashurisë për gastronominë... -
“Vendlindja ime është tani në Google Maps Street View”, Dua Lipa promovon Prishtinën me një video të veçantë -
Kurti takon shkencëtarin shqiptar nga Universiteti i Cyrihut, diskuton për zhvillimin e inteligjencës artificiale në Kosovë -
Kur ëndrra bëhet realitet: Katy Perry i këndon për ditëlindje Erës në Sunny Hill -
Kurti: Sunny Hill e ka vendosur Kosovën në hartën botërore të festivaleve
Jeta në Austri
-
48,000 fëmijë austriakë do të marrin nga 150 euro për pajisje shkollore Fillimi i vitit shkollor është një barrë e madhe financiare për shumë familje. Që nga viti... -
Shqiptarja Esmeralda Kazia shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026” -
Publikohet raporti i parë zyrtar për viktimat e luftës në Kosovë, dokumentohen 13.227 persona -
Vizitorët ndotin Danubin e Vjetër -
25% e fëmijëve gjermanë që jetojnë në Austri humbasin një vit shkollor











