Integrimi
Nga Tetova në Londër, rrugëtimi i Rita Behadinit
Me fjalën e lirë si armë, Rita ka zgjedhur të sfidojë normat, të flasë për barazinë gjinore dhe shëndetin mendor dhe të krijojë platforma që i japin zë brezit të ri
                                                                        E lindur në Tetovë, e formuar mes sfidave të realitetit politik e social të Shkupit, ajo ka ndërtuar një karrierë që shtrihet nga kryeqytetet shqiptare – Shkupi, Prishtina, Tirana – e deri te Londra, ku sot jeton dhe studion. Me fjalën e lirë si armë, Rita ka zgjedhur të sfidojë normat, të flasë hapur për barazinë gjinore dhe shëndetin mendor, dhe të krijojë platforma që i japin zë brezit të ri. Në këtë intervistë për Albinfo.ch, ajo flet për kujtimet, sfidat, betejat dhe ëndrrat që e kanë formuar si gazetare, aktiviste dhe poete.
Albinfo.ch: Kush është Rita?
Rita Behadini: Rita është gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave, shumë e pasionuar për të nxjerrë në pah të vërtetën dhe sjelljen e drejtësisë.
Albinfo.ch: Cilat janë kujtimet e tua të para që e kanë formësuar dashurinë për gazetari dhe për angazhim shoqëror?
Rita Behadini: Mua më kanë penguar gjithmonë padrejtësitë. Që aty ka filluar gjithçka. Nuk mund të rrija anash dhe të vështroja diçka që nuk ishte në rregull, pa tentuar të bëj diçka. Gazetaria dhe aktivizmi janë dy armët e mia më të forta me të cilat po tentoj të bëj ndryshimin.
Albinfo.ch: Si e përshkruan rrugëtimin tënd profesional nga Tetova deri në Shkup – Prishtinë – Tiranë dhe cilat ishin sfidat më të mëdha që të shoqëruan në fillim të karrierës?
Rita Behadini: Kur kthehem prapa, e kuptoj që nuk ka qenë e lehtë. Në këtë botë shpesh duhet të shtyhesh me bërryla për të arritur potencialin. Që kur kam lexuar Remarkun, e kam ditur qëllimin tim: lirinë. Ajo fitohet, nuk dhurohet. Trekëndëshi im i famshëm Shkup-Prishtinë-Tiranë është jeta që gjithmonë e kam dashur. Në çdonjërin nga këto qytete kam gjetur njerëz që synonin të njëjtën liri.
Albinfo.ch: Sa ndikoi realiteti politik, etnik dhe social i Shkupit në mënyrën se si u formove si gazetare dhe aktiviste?
Rita Behadini: Paragjykimet dhe limitet sociale, etnike, religjioze… të gjitha zhduken kur tenton të jesh i drejtë dhe punëtor. Kështu më mësuan prindërit. Diskriminimi ekziston, por unë luftova për pozitën time. Jam mirë e integruar, sepse nuk u pajtova të jem në margjina. Njerëzit e kuptojnë kur nuk mund të të shkelin.
Albinfo.ch: Je përballur me kërcënime dhe presione për shkak të qëndrimeve të tua kritike – si e ke përjetuar këtë dhe çfarë ndikimi ka pasur tek vendimet e tua personale e profesionale?
Rita Behadini: Ka qenë e vështirë. Shpesh është impresionuese se si dikush mund të “urrehet” vetëm pse ka një mendim të vetin. Unë nuk jam përshtatur me normat shoqërore, kam punuar për të ç’programuar sistemet e gabuara brenda meje. Kërcënimet i raportoj, por familja ime vazhdon të jetojë aty, ndaj sfidat shpesh janë më të rënda për ta se për mua.
Albinfo.ch: Pse vendose që nga Prishtina stacioni yt i radhës të ishte Tirana, dhe si e gjeje veten si gazetare e aktiviste në kryeqytetin shqiptar?
Rita Behadini: Prishtina më dha shumë mundësi rritjeje. Tirana ishte hap tjetër, më e madhe dhe më e hapur. Atje gjeta miq, kolegë dhe një hapësirë më të lirë për mendimin ndryshe. Megjithatë, e jetova shkurt, por mbeti dashuri e madhe.
Albinfo.ch: A mendon se Tirana ofroi më shumë hapësirë për zërin tënd kritik, apo edhe aty u ndeshe me kufizime që të shtynë të mendosh për një horizont më të gjerë?
Rita Behadini: Tirana është më e hapur, por edhe aty ekziston një lloj fluske. Shqiptarët jashtë Tiranës shpesh nuk përfaqësohen sa duhet. Kjo më bëri të shoh horizont më të gjerë.
Albinfo.ch: Çfarë roli pati aktivizmi yt për barazi gjinore dhe themelimi i iniciativave si “Shega” dhe podcasti “Përtej Qershorit” në rrugën tënde profesionale?
Rita Behadini: Lufta për barazi gjinore nisi rastësisht si studente, por u bë e suksesshme sepse hyra në terren të paprekur. “Shega” është mënyra ime për t’i dhënë komunitetit diçka pas një vizite në SHBA. Ndërsa “Përtej Qershorit” lindi nga sfidat e mia me shëndetin mendor. Të dyja janë platforma për ndryshim dhe emancipim.
Albinfo.ch: Edhe pse je akoma në fillim, por çfarë ke gjetur në Londër që nuk e gjeje në hapësirat e mëparshme ku ke jetuar dhe punuar?
Rita Behadini: Londra është guri im me fat. Është hapësirë që më largon pak nga Ballkani dhe më rikujton që bota është shumë më e madhe. Aty ndiej nevojën të rritem.
Albinfo.ch: A e sheh veten si pjesë të fenomenit të “ikjes së trurit” apo si një profesioniste që po investon jashtë për t’u rikthyer me më shumë dije e përvojë?
Rita Behadini: Truri tashmë ka ikur… ata që mbeten, shpesh edukohen për të ikur sërish. Unë nuk shkëputem kurrë nga vendi im, por dua të jetoj mes Evropës dhe Ballkanit për të sjellë më shumë vlera në të dyja anët.
Albinfo.ch: Sa e vështirë është për një të ri idealist në rajonin tonë të zgjedhë midis qëndrimit për të luftuar brenda sistemit dhe largimit për të ndërtuar një jetë ndryshe jashtë?
Rita Behadini: E vështirë është vetëm derisa nuk e njeh veten plotësisht. Kur e njeh veten, bëhet më e lehtë. Shumë të rinj zgjedhin një mes dhe ky mes është rruga që duhet ta synojmë.
Albinfo.ch:  A mendon se shoqëritë tona e bëjnë të vështirë për individët kritikë të qëndrojnë dhe të jenë vetvetja, apo beson se ende ekziston hapësirë reale për t’i ndryshuar gjërat nga brenda?
Rita Behadini: Shoqëria jonë e ka të vështirë të pranojë mendimin ndryshe. Të jesh grua, e pavarur dhe kritike është sfidë në vete. Por unë zgjedh me vetëdije çdo hap dhe nuk kam frikë nga kritikat.
Albinfo.ch: Shkruan poezi vetëm kur je mërzitur apo edhe kur je e lumtur?
Rita Behadini: Shkruaj poezi kur jam e thyer. Janë copëza shumë personale të shpirtit tim. Poezia ka aftësinë të shërojë. Mund të them që jam me fat që ma thyen zemrën, sepse sot kam poezi të bukura.
Albinfo.ch: Çfarë mesazhi do t’u jepje të rinjve që sot janë përballë dilemës së madhe: të qëndrojnë në vend apo të marrin rrugën e emigrimit?
Rita Behadini: Mesazhi im është: mos i merrni gjërat për të mirëqena. Kërkoni të vërtetën tuaj. Vajzave u them mos u përpiqni të jenë “vajza të mira”, ndërsa djemve – mësoni të jetoni me vajza të pavarura.
Rruga e Rita Behadinit nuk është e lehtë, por është e ndershme dhe e hapur ndaj të vërtetës. Ajo na kujton se liria nuk dhurohet, por fitohet, dhe se mendimi kritik është pasuri, jo barrë. Përmes gazetarisë, aktivizmit dhe artit, Rita vazhdon të ndërtojë ura mes Ballkanit dhe botës, duke i dhënë kuptim thënies se “e ardhmja u takon atyre që nuk kanë frikë ta jetojnë të vërtetën e tyre”.
Të jesh grua e pavarur dhe kritike, është sfidë më vete
“Shoqëria jonë e ka të vështirë të pranojë mendimin ndryshe. Të jesh grua, e pavarur dhe kritike është sfidë në vete. Por unë zgjedh me vetëdije çdo hap dhe nuk kam frikë nga kritikat”.
E-Diaspora
- 
                        USA                        
                            
                            Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës Albulena Uka ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga Mitrovica në qendrat më prestigjioze të dijes... - 
                                                
                            
                            Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar - 
                                                
                            
                            Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj - 
                                                
                            
                            Marigona nis postdoktoraturën si Fulbright Visiting Scholar në Los Angeles - 
                                                
                            
                            Eksodi i bardhë: Mjekët po i kthejnë shpinën Kosovës 
Jeta në Austri
- 
                                                
                            
                            Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë Studimi i EY: 90% e familjeve austriake përpiqen të kursejnë energji, 17% nuk mund t'i paguajnë... - 
                                                
                            
                            Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa - 
                                                
                            
                            Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 - 
                                                
                            
                            Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 - 
                                                
                            
                            Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese 


                        










