Portrete të firmave
Spitex BajRon AG, ju flet shqip
Nijat Bajrami, themelues dhe drejtues i Spitex BajRon AG: “Përveç përkujdesjes shëndetësore profesionale, ne flasim shqip, kuptojmë kontekstin kulturor të pacientëve tanë dhe ndërtojmë besim të dyanshëm”

Është spitexi i parë shqiptar në Zvicër. Spitex BajRonshtë themeluar në vitin 2012. Sot, pas më shumë se një dekade përvojë, Spitex BajRon Ag operon me licencë të plotë në 13 kantone zvicerane, përfshirë: Zürich, Aargau, Solothurn, St. Gallen, Bern, Luzern, Schaffhausen, Schwyz, Basel-Landschaft, Basel-Stadt, Nidwalden, Obwalden dhe Zug. Themeluesi dhe drejtuesi, Nijat Bajrami flet për Albinfo.ch lidhur me shërbimet që ofron ky spitex dhe tregon për arritjet e tij të deritashme.

Albinfo.ch: Prej kur operon Spitex-i juaj dhe në cilat kantone?
Nijat Bajrami: Spitex BajRon AG është themeluar në vitin 2012 me një qëllim të qartë: të ofrojë kujdes profesional dhe të ndjeshëm ndaj nevojave kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër. Si pionierë në këtë sektor, jemi krenarë që jemi Spitex-i i parë shqiptar në Zvicër. Sot, pas më shumë se një dekade përvojë, operojmë me licencë të plotë në 13 kantone zvicerane, përfshirë: Zürich, Aargau, Solothurn, St. Gallen, Bern, Luzern, Schaffhausen, Schwyz, Basel-Landschaft, Basel-Stadt, Nidwalden, Obwalden dhe Zug. Jemi krenarë që kemi ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm që ofron kujdes cilësor, të besueshëm dhe të përshtatur me nevojat e komunitetit. Ne nuk jemi thjesht duke zgjeruar shërbimet tona, por jemi duke ndërtuar besim, lidhje njerëzore dhe kujdes të vërtetë për secilin pacient.
Albinfo.ch: Çfarë e bën Spitex-in tuaj të veçantë krahasuar me të tjerët?
Nijat Bajrami: Ne dallojmë për shkak të qasjes sonë gjithëpërfshirëse, ku përveç përkujdesjes shëndetësore profesionale, flasim shqip, kuptojmë kontekstin kulturor të pacientëve tanë dhe ndërtojmë besim të dyanshëm. Gjithashtu, Spitex BajRon është më shumë se një ofrues shërbimesh; është një platformë edukimi dhe zhvillimi profesional. Ne ofrojmë shkollim të akredituar në të gjithë Zvicrën në drejtimin e asistencës në infermieri (Pflegehelferin/Pflegehelfer), duke përgatitur me sukses dhjetëra nxënës çdo vit për tregun zviceran të punës. Në të ardhmen, synojmë të zgjerojmë ofertën tonë arsimore me trajnimin modern SVEB 1, program që certifikon edukatorë në fusha të ndryshme dhe kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit profesional në Zvicër.
Albinfo.ch: A keni ndonjë plan për të zgjeruar shërbimet në të ardhmen?
Nijat Bajrami: Po, absolutisht. Vizioni ynë është gjithmonë i orientuar drejt së ardhmes. Aktualisht, kemi nisur me sukses zhvillimin e një Spitex-i psikiatrik të specializuar për fëmijë dhe të rinj në kantonet St. Gallen dhe Bernë, duke iu përgjigjur konkretisht rritjes së nevojave për shërbime të shëndetit mendor tek kjo grupmoshë e ndjeshme.
Në të njëjtën kohë, jemi në proces të zhvillimit të qendrave ditore për kujdes afatshkurtër dhe të projekteve ndërdisiplinare, në partneritet me institucione publike dhe komunale, me qëllim ofrimin e mbështetjes gjithëpërfshirëse në çdo fazë të jetës.
Një tjetër risi që na veçon është ofrimi i platformave profesionale për Spitex-e të tjera: koncepte të gatshme, të testuara në praktikë, që ndihmojnë organizatat të rrisin cilësinë, të kursejnë kohë dhe të operojnë me më shumë efikasitet.
Qëllimi ynë është i qartë. Të jemi jo vetëm ofrues kujdesi, por edhe forcë shtytëse zhvillimi dhe inovacioni në fushën e Spitex-it në Zvicër.
Albinfo.ch: Sa punonjës i keni përafërsisht dhe çfarë kualifikimesh profesionale kanë?
Nijat Bajrami: Stafi ynë përbëhet nga profesionistë të kualifikuar dhe të përkushtuar, të cilët punojnë në ekipe rajonale të strukturuara mirë, duke garantuar një standard të lartë kujdesi në të gjitha kantonet ku operojmë.
Ajo që na veçon është ndërthurja e kompetencës profesionale me ndjeshmërinë kulturore. Shumë prej punonjësve tanë janë shumëgjuhësh dhe vijnë nga komuniteti shqiptar, një aset i çmuar që krijon afërsi, besim dhe kuptim të thellë me pacientët tanë.
Stafi ynë sjell një përvojë të gjerë dhe perspektiva ndërkulturore, që na mundësojnë të ofrojmë kujdes të personalizuar dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të secilit individ.
Albinfo.ch: Cilat ishin sfidat më të mëdha që hasët kur e nisët këtë rrugëtim?
Nijat Bajrami: Çdo fillim mbart me vete barrën e së panjohurës, dhe për ne, rrugëtimi nisi me sfida të shumta, por edhe me një vizion të qartë. Ishte një sfidë e madhe të fitoje besimin institucional, të përmbushje kriteret e rrepta për licencimin zviceran dhe të ndërtoje nga e para një strukturë të qëndrueshme, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë financiar.
Një sfidë tjetër e rëndësishme ishte perceptimi brenda vetë komunitetit shqiptar: kujdesi në shtëpi shpesh shihej si shenjë dobësie apo pamundësie, një tabu që kërkonte qasje të kujdesshme, dialog dhe respekt të ndërsjellë për ta kapërcyer. Pikërisht këtu vendosëm theksin tonë. Përmes informimit të vazhdueshëm, kujdesit me dinjitet dhe qasjes kulturore të ndjeshme, arritëm jo vetëm ta ndryshojmë këtë mendësi, por edhe ta kthejmë kujdesin në shtëpi në një zgjedhje të ndërgjegjshme dhe dinjitoze për shumë familje.
Albinfo.ch: Cili ishte reagimi i parë nga pacientët dhe komuniteti, sidomos te komuniteti shqiptar?
Nijat Bajrami: Në fillim pati një dozë natyrale ngurrimi, siç ndodh me çdo risi që sfidon normat dhe sjell diçka të re në një fushë delikate si kujdesi shëndetësor. Megjithatë, me kalimin e kohës, përmes shërbimit me profesionalizëm, respekt dhe ndjeshmëri kulturore, komuniteti shqiptar jo vetëm që e pranoi modelin tonë, por e përqafoi me zemër të hapur.
Sot, një numër i madh i pacientëve na vijnë përmes rekomandimeve nga familjarë, miq apo mjekë, sepse vlerësojnë faktin që dikush i dëgjon në gjuhën e tyre, i kupton thellësisht dhe i trajton me respekt e pa paragjykim.
Dua të theksoj se Spitex BajRon nuk është vetëm për shqiptarët. Klientela jonë është e larmishme dhe ndërkulturore, duke reflektuar shoqërinë zvicerane. Ne i shërbejmë të gjithëve me përkushtim dhe zemërhapur çdo ditë.
Albinfo.ch: Si i menaxhoni sfidat e stafit dhe organizimit të shërbimeve?
Nijat Bajrami: Te Spitex BajRon besojmë se një kujdes i shkëlqyer ndaj pacientëve fillon me një kulturë pune të shëndetshme dhe mbështetëse për stafin. Prandaj kemi investuar në mënyrë të qëndrueshme në strukturë, teknologji dhe zhvillim njerëzor.
Përdorim sisteme digjitale moderne për dokumentim (Nexus, SDoku), trajnim, shkollim (Careprocess), si dhe planifikim (si Nexus), të cilat lehtësojnë rrjedhën e punës dhe i japin stafit më shumë kohë për atë që ka më shumë rëndësi: kujdesin ndaj pacientit.
Në Spitex BajRon besojmë se investimi në trajnime të rregullta, supervizim profesional dhe në kulturë të komunikimit të hapur është çelësi për një shërbim cilësor dhe ekip të motivuar.
Në secilin rajon kemi një udhëheqës të përgjegjshëm dhe një ekip rezervë të përgatitur që garanton vazhdimësinë e shërbimit dhe mbështet stafin ekzistues në rast mungesash apo ngarkese.
Në BajRon nuk je thjesht një numër në orar. Je pjesë e një vizioni, një familjeje profesionale që të dëgjon, të vlerëson dhe të mbështet në rritjen tënde, thotë Semra Ajeti, përgjegjëse për Kantonin e St. Gallen. Pikërisht kjo qasje njerëzore është arsyeja pse shumë profesionistë jo vetëm që punojnë me ne, por zgjedhin të qëndrojnë dhe të zhvillohen bashkë me ne.
Albinfo.ch: A ka pasur ndonjë histori të veçantë me pacientët që ju ka prekur më shumë?
Nijat Bajrami: Ka shumë, por ndër rastet me ndikim të thellë veçohet ai i një burri të moshuar shqiptar, i cili jetonte në izolim dhe përjetonte depresion të thellë. Nëpërmjet ndërhyrjes sonë multidisiplinare dhe përfshirjes së një profesionisti të shëndetit mendor, ai rifitoi dëshirën për jetë dhe u rikthye në aktivitetet e përditshme. Ky rast është dëshmi e drejtpërdrejtë e ndikimit transformues që mund të ketë kujdesi gjithëpërfshirës.
Gjithashtu dua të përmend një rast prekës. Një pacient na kërkoi që të mbetej në shtëpinë e tij deri në ditën e fundit të jetës. Përmes përkujdesjes sonë profesionale dhe përkushtimit të ekipit, ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij, në rrethin e ngrohtë të familjes. Para se të largohej, më tha: “Faleminderit për gjithçka.” Ky moment më forcoi bindjen se çdo njeri meriton të jetojë dhe të largohet me dinjitet në vendin që ndjehet më mirë , në shtëpi.
Albinfo.ch: Çka do t’u thoshit shqiptarëve që kanë nevojë për shërbimin tuaj, por nuk e shfrytëzojnë atë?
Nijat Bajrami: Mos e shtyni kërkesën për ndihmë. Spitex është për të gjithë: për të rinjtë, për nënat pas lindjes, për të sëmurët kronikë, për nevoja afatshkurtra apo për situata të papritura. Ne flasim shqip, ju mbështesim me dokumentacionin dhe bashkëpunojmë ngushtë me mjekun tuaj.
Na kontaktoni për të mësuar më shumë mbi të drejtat tuaja: [email protected] ose www.bajron.ch
Për shembull:
Kur keni të drejtë për përfitime plotësuese (Ergänzungsleistungen), kompensim për personat e pafuqishëm (Hilflosenentschädigung), kontribut për asistencë (Assistenzbeitrag)
dhe shumë çështje të tjera që mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës suaj, si kur keni fëmijë apo familjarë të hendikepuar ose me të meta psikike.
Albinfo.ch: A ofroni mbështetje për kujdestarët familjarë?
Nijat Bajrami: Po. Ne ofrojmë këshillim profesional, trajnime praktike dhe udhëzime konkrete për përkujdesje. Gjithashtu ndihmojmë në orientimin dhe plotësimin e formularëve për përfitime, duke përfshirë: kujdesin e financuar nga përfitimet plotësuese (Ergänzungsleistungen), kompensimin për humbje të aftësisë për punë (IV), ndihmë për vetë-menaxhim të rastit dhe lehtësim emocional për familjarët.
Albinfo.ch: A keni punonjës shqiptarë?
Nijat Bajrami: Po, dhe jemi shumë krenarë për ta. Ata janë një shtyllë themelore e suksesit tonë dhe krijojnë një urë të fuqishme besimi me komunitetin shqiptar. Por, sigurisht, ekipi ynë është ndërkombëtar dhe i hapur për të gjitha kulturat.
Albinfo.ch: Çfarë duhet të dinë bashkatdhetarët tanë lidhur me
Albinfo.ch: Shërbimet e Spitex-it?
Nijat Bajrami: Spitex nuk është vetëm për të moshuarit. Ai është për këdo që ka nevojë për ndihmë në jetën e përditshme, kujdes shëndetësor pas një sëmundjeje apo operacioni, përkrahje në rehabilitim apo mbështetje psikologjike. Këto shërbime mbulohen nga sigurimi shëndetësor nëse ekziston një urdhër mjekësor.
Albinfo.ch: Si e siguroni cilësinë e shërbimit dhe kënaqësinë e pacientëve?
Nijat Bajrami: Kemi një sistem të strukturuar të kontrollit të cilësisë, protokolle të standardizuara, vlerësime të rregullta dhe trajnime të vazhdueshme. Çdo reagim nga pacientët merret seriozisht dhe përdoret për përmirësim të vazhdueshëm.
Albinfo.ch: Ku e shihni Spitex-in tuaj pas 5–10 vitesh?
Nijat Bajrami: Ne nuk e shohim Spitex BajRon thjesht si një institucion shëndetësor, por si një forcë lëvizëse në sistemin e kujdesit në Zvicër. Brenda pesë deri në dhjetë vjet, synojmë të jemi një nga Spitex-et më të avancuara dhe më të integruara në nivel kombëtar, duke krijuar standarde të reja në kujdesin individual, ndërkulturor dhe gjithëpërfshirës.
Në fokus do të jenë:
-
Qendrat për trajtim multidisiplinar, ku mjekësia, psikiatria, terapitë dhe përkujdesja bashkëpunojnë për mirëqenien e plotë të individit
-
Akademia BajRon, një hapësirë edukimi profesional me programe të akredituara që formojnë brezat e ardhshëm të infermierëve, asistentëve dhe edukatorëve shëndetësorë
-
Qasja inovative në kujdesin psikologjik dhe social, veçanërisht për fëmijë, të rinj dhe familje me sfida të mëdha.
Por mbi të gjitha, do të jemi model suksesi në mënyrën si ndërthurim cilësinë teknike me ndjeshmërinë njerëzore dhe kulturore. Një vend ku pacientët ndihen të dëgjuar dhe profesionistët e shëndetit ndihen të vlerësuar.
Dua të falënderoj nga zemra gjithë stafin e BajRon AG, nga udhëheqësit deri te ata që punojnë në heshtje e pa u dukur. Ju bëni një punë me dinjitet dhe përkushtim çdo ditë.
Motoja jonë:
Kujdes me zemër , aty ku jeta vazhdon: në shtëpinë tuaj.
Vizioni ynë:
Të ndërtojmë një sistem përkujdesjeje që e vendos njeriun në qendër, me të gjitha dimensionet e tij: trupin, mendjen dhe shpirtin. Ne besojmë se çdo njeri meriton të jetojë dhe të plakët me dinjitet, aty ku ndihet më i sigurt, më i qetë dhe më i vetja. Spitex BajRon nuk ofron vetëm kujdes, por edhe praninë, ngrohtësinë dhe respektin që çdo njeri meriton.
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Madrid: Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa debuton në “Teatro Real” Baritoni Gëzim Myshketa debuton në Madrid përkrah emrave të mëdhenj të operës botërore...
-
Patentë shoferët e mërgatës: Pse Policia e Kosovës nuk mund t’i konfiskojë?
-
Byreku shqiptar në festivalin 2025 në Illinois
-
Orion Jucja përfundon me sukses programin prestigjioz Hubert H. Humphrey në SHBA
-
Prizreni mirëpret diasporën me parkim falas në oborret e shkollave
Jeta në Austri
-
Austriakët paguajnë më shumë se mesatarja e BE-së, thonë shitësit me pakicë Në Austri, e ashtuquajtura “mbingarkesë çmimi në Austri” vazhdon të shkaktojë zemërim. Sondazhet tregojnë vazhdimisht se...
-
Futbollisti Smakaj transferohet në Austri
-
Ekstradohet nga Austria një person i kërkuar për vjedhje të rëndë
-
Vdes tragjikisht në Itali parashutisti austriak
-
27.8% e austriakëve: Mbi 2.5 milionë njerëz me prejardhje migrimi