Lajme

Gjithçka që ndryshon në Gjermani nga muaji korrik

Nga fundi i apelimeve për viza dhe fotove të printuara për kartat e identitetit, deri te rritja e pensioneve dhe çmimeve të DHL-së, ja ndryshimet kryesore që duhet të dini në Gjermani këtë korrik:

Gjermania i jep fund apelimeve falas për aplikantët e refuzuar për vizë

Nëse viza juaj për të vizituar ose për t’u zhvendosur në Gjermani refuzohet pas fillimit të korrikut, nuk do të jeni më në gjendje të përdorni një proces falas shqyrtimi qeveritar, të quajtur ankesë, për ta kundërshtuar atë.

Deri më tani, procesi i ankesës u lejonte aplikantëve të refuzuar për vizë të rivlerësoheshin pa kosto shtesë dhe të përfshinin dokumente shtesë ose sqarime në lidhje me aplikimin e tyre.

Në vijim, aplikantët e refuzuar do të kenë dy mundësi: të fillojnë nga e para me një aplikim të ri për vizë ose të kundërshtojnë zyrtarisht refuzimin në gjykatë.

Kjo do të thotë se udhëtarët dhe ata që synojnë të zhvendosen në Gjermani duhet të tregojnë kujdes shtesë për të siguruar që aplikimet e tyre janë të plota dhe të argumentuara mirë.

Mos harroni të dorëzoni deklaratën tatimore

Deklaratat tatimore për vitin 2024 duhet të dorëzohen deri më 31 korrik – dhe jo në fund të gushtit si vitin e kaluar.
Personat që përdorin një këshilltar tatimor ose ndihmën e një organizate tatimore (Lohnsteuerhilfeverein) kanë afat deri më 28 shkurt 2026.

Pensionet rriten nga 1 korriku

Nga fillimi i muajit, pensioni statutor gjerman do të rritet me 3.74 për qind. Pensioni mesatar mujor do të rritet me rreth 66 euro.
Gjithashtu, pensioni për viktimat ish-të burgosur politikë në Gjermaninë Lindore do të rritet nga 70 në 400 euro në muaj.

Si pasojë e rritjes së pensioneve, shumë pensionistë do të kalojnë pragun e zbritjes tatimore bazë (12 096 euro për beqarët në 2025), që do të thotë se rreth 73 000 pensionistë do të duhet të dorëzojnë deklaratë tatimore dhe ndoshta të paguajnë tatim.

Pensionistët e rinj në vitin 2025 do të preken më shumë, pasi 83.5 për qind e pensionit të tyre do të jetë e tatueshme.

Më shumë para për punonjësit e kujdesit dhe politikanët

Punonjësit në kujdesin për të moshuarit do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale:

  • 20.50 € për stafin e infermierisë

  • 17.35 € për asistentët e kualifikuar

  • 16.10 € për asistentët e thjeshtë

Kujdestarët familjarë do të kenë më shumë fleksibilitet: përfitimet për kujdesin e përkohshëm dhe afatshkurtër janë bashkuar në një shumë totale vjetore prej 3 539 eurosh, e përdorshme pa aplikime të ndara.
Për më tepër, ata mund të aplikojnë për përfitime që në momentin kur përcaktohet niveli i dytë i kujdesit, pa pritur gjashtë muaj si më parë.

Politikanët: 630 deputetët e Bundestagut kanë miratuar një rritje page prej 5.4 për qind, duke arritur në 11 834 euro në muaj.

Rritje çmimesh nga DHL për pakot ndërkombëtare

Nga 1 korriku, DHL ka rritur tarifat për pakot ndërkombëtare:

  • Një pako XS (deri në 2 kg brenda BE-së) do të kushtojë 6.99 euro, rritje prej 50 centësh.

  • Pesha maksimale për pakot ndërkombëtare është standardizuar në 30 kg.

Fundi i tërheqjeve falas të parave në stacionet Shell

Klientët e Deutsche Bank, Commerzbank, Postbank dhe Hypovereinsbank nuk do të mund të tërheqin më para falas në stacionet e benzinës Shell, pasi marrëveshja përfundoi më 30 qershor.

Fotot letër nuk pranohen më për dokumente identiteti

Nga fundi i korrikut, fotot e shtypura nuk do të pranohen më për kartat e identitetit (e-Ausweis) apo lejet e qëndrimit (Aufenthaltstitel).

Ky ndryshim vlen për shumicën e Bürgeramt dhe Ausländerbehörde, me disa përjashtime për fëmijët e vegjël dhe zyrat që ende nuk kanë makineri për foto dixhitale.

Fillojnë pushimet verore në shumicën e shteteve

12 nga 16 shtetet federale, pushimet verore të shkollave kanë filluar gjatë korrikut.

Përjashtim bëjnë:

  • Saksonia, Saksonia-Anhalt dhe Turingia (pushimet nisën në qershor)

  • Bavaria (nis më 1 gusht, si zakonisht)

Pushimet verore zgjasin rreth gjashtë javë dhe janë të shpërndara në mënyrë të koordinuar për të shmangur mbingarkesën në rrugë dhe në destinacionet turistike, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.