Kosova
Nga ëndrra në përjetësi: Uta Ibrahimi, emri që u skalit në lartësitë e globit
Historia e saj është udhëtimi i një gruaje që sfidoi kufijtë fizikë, kulturorë dhe gjinorë – dhe i tejkaloi të gjithë
“Veç zemra e din”
Uta Ibrahimi, e para nga Ballkani, e gjashta grua në Evropë dhe e 13-ta në botë që ngjit të gjitha 14 majat mbi 8000 metra, mbyll një kapitull 9-vjeçar të sakrificës, sfidës dhe krenarisë kombëtare. Me flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë në dorë, ajo bëhet zëri dhe simboli i një brezi të ri grash që nuk njohin kufij.
Himalaje, Maj 2025
Në një udhëtim që zgjati nëntë vite, mes akujve të Himalajeve dhe rrënjëve të shpirtit shqiptar, Uta Ibrahimi ka hyrë në histori. Ajo është bërë gruaja e parë shqiptare dhe personi i parë nga Ballkani që ka përfunduar ngjitjen e të 14 majave më të larta në botë, të njohura si “tetëmijëshat”, mbi 8,000 metra mbi nivelin e detit.
Me këtë arritje, Uta renditet gjithashtu si e gjashta grua në Evropë dhe vetëm e 13-ta në botë që ka përfunduar me sukses këtë sfidë epike, një rekord që e vendos atë jo vetëm në lartësitë fizike të Tokës, por edhe në panteonin e alpinizmit botëror.
Në një status të ndjerë që ndau me ndjekësit e saj pas ngjitjes së fundit në Kanchenjunga (8,586 m), maja e tretë më e lartë në botë, Uta shkroi:
“Krenare përgjithmonë ❤️
E mbushun në zemër për gjith jetën, që nji projekt të nisun në vitin 2017, për me i ngjit 14 majat më të nalta të botës, atëher veç andërr, e sot, 9 vjet pas, nji jetë e tanë, arrita me e realizu!
Kadale, boll kadale, me shumë sakrificë, me shumë mund, me shumë lot, gëzimi e idhnimi, shumë sfida, e shumë dashni … arrita me i dal në krye 🏔️
Qysh? E din veç zemra jem 🙏
Për krejt këto 9 vjet, janë shumë që më kanë mbështet, e shumë që nuk kanë besu, shumë që kanë kontribu, e shumë që e kanë kundërshtu, e shumë që kanë komentu prej ulësëve të nxehta, por asnjiher, asnjëra nuk m’ka lan me u dorëzu!
Krejt m’kan shty fort deri në fund!
Deri në fund, dhe me e valvu flamujt e mi të zemrës, shtetit tim Kosovës, e kombit tim shqiptar 🇽🇰🇦🇱, edhe me u bo njeri i parë nga vendet e Ballkanit me këtë arritje në alpinizëm!
Jam shumë e emocionume për krejt këtë rrugëtim … në ditët në vazhdim më shumë fotografi dhe video nga ngjitja e fundit e Majes Kanchenjungua ❤️”
Nga Gjilani në Kathmandu, nga bjeshkët e Kosovës deri në lartësitë e Himalajeve, ajo ka përfaqësuar jo vetëm një përpjekje personale, por edhe dinjitetin e një kombi që ngrihet përmes bijave të tij më të guximshme. Historia e saj është udhëtimi i një gruaje që sfidoi kufijtë fizikë, kulturorë dhe gjinorë dhe i tejkaloi të gjithë.
Në kohë kur botës i mungojnë modelet të qëndrueshme të frymëzimit, Uta Ibrahimi vjen si një dritë që ndriçon rrugën e guximit dhe përkushtimit. Jo vetëm si alpinizëm, por si akt i kujtesës kolektive dhe krenarie shqiptare.
Por Uta Ibrahimi nuk është vetëm një ngjitëse majash. Ajo është një zë i fuqishëm për mbrojtjen e natyrës dhe për fuqizimin e vajzave dhe grave shqiptare, në Ballkan dhe më gjerë. Si themeluese e organizatës “UTAlaya Foundation”, ajo ka zhvilluar projekte edukative për të rinjtë, duke i lidhur me mjedisin dhe vlerat që mbart ai. Përmes fjalëve dhe veprave, ajo ka përcjellë mesazhin se fuqia e gruas nuk matet me lartësinë e trupit, por me lartësinë e qëllimit.
“Mos pritni që dikush t’ju japë leje për të ëndërruar”, është një nga mesazhet e saj drejtuar brezit të ri. Në një shoqëri ku shpesh kufijtë u vihen vajzave që në fëmijëri, Uta është dëshmia se ëndrrat e mëdha nuk janë privilegj, por e drejtë. Dhe ajo, me flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë në duar, është bërë pikërisht ajo thirrje që mungonte prej kohësh, një thirrje që ngjitet lart e që nuk zbret më poshtë.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Thun
Shoqata “Atdheu” prezantohet me valle kombëtare shqiptare në Thun Më 6 maj 2026, valltarët e shoqatës do të sjellin një program të shkurtër artistik në... -
Itali
Hapet një shkollë e re shqipe, vatër për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit në diasporë -
Suedi
Shqipëria përfaqësohet në Festivalin Ndërkombëtar të Valleve në Stokholm -
Kroaci
Arta Dodaj shpërblehet me Çmimin Vjetor për Shkencë në Kroaci -
Klubi suedez i femrave triumfon në Evropë në Champions League, dy shqiptarë në krye të suksesit historik të ekipit
Jeta në Austri
-
Një ditë e zakonshme që u kthye në festë zyrtare: Historia e 1 Majit Kur isha në shkollë fillore, 1 Maji për mua ishte thjesht një ditë në natyrë me... -
Ambasada e Kosovës në Austri njofton shërbime të mbyllura konsullore në disa data të majit 2026 -
Autoritetet e Austrisë dhe Shqipërisë çmontojnë rrjet kriminal të mashtrimeve online me vlerë 50 milionë euro, 10 të arrestuar -
Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë -
Austria planifikon rregulla më të rrepta për ofertat e kreditit online












