Shqipëria bëhet epiqendra e sportit ndërkombëtar! Nga data 9 deri më 11 maj 2025, gara më prestigjioze e çiklizmit në Evropë, Giro d’Italia, do të nisë për herë të parë nga Shqipëria, duke shkruar një kapitull të ri në historinë tonë sportive dhe turistike.
Tre etapa magjepsëse – Durrësi, Tirana dhe Vlora – do të jenë mikpritëset e kësaj sfide spektakolare, ku 180 çiklistë profesionistë, ndër kampionët më të mëdhenj të botës, do të garojnë në rrugët e Shqipërisë, nën ritmin e adrenalinës dhe bukurisë shqiptare, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.
Gara starton në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, më 9 maj në orën 13:00, për të vijuar nëpër itinerar dhe përmbyllet në Sheshin “Nënë Tereza”, ku çiklistët pritet të mbërrijnë rreth orës 18:00.
Ky event nuk është vetëm një garë sportive – është një dritare e madhe për ta treguar Shqipërinë në gjithë botën: një vend që gërsheton bukurinë natyrore me mikpritjen, historinë dhe energjinë e një kombi që ecën gjithmonë përpara.
Për garantimin e organizimit në nivelin më të lartë, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan të posaçëm masash për mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të parashikuara.