Një udhëtim nga Shqipëria drejt Gjermanisë përfundoi brenda pak orësh për një 20-vjeçar shqiptar, të cilit autoritetet gjermane ia refuzuan hyrjen në vend pasi konstatuan se bileta e tij e kthimit ishte e falsifikuar, transmeton albinfo.ch.
Rasti është regjistruar të hënën, më 12 tetor, në Aeroportin e Dortmundit, ku i riu kishte mbërritur me një fluturim nga Tirana.
Sipas Policisë Federale gjermane, gjatë kontrollit kufitar, rreth orës 08:40, 20-vjeçari kishte paraqitur pasaportën shqiptare. Për të verifikuar nëse i plotësonte kushtet e hyrjes në Gjermani, zyrtarët i kishin kërkuar edhe dokumente të tjera, përfshirë biletën e kthimit.
Gjatë verifikimeve, policia kishte konstatuar se bileta e paraqitur nuk ishte autentike. Pas njoftimit për të drejtat e tij, i riu kishte zgjedhur të mos deklarohej lidhur me dyshimet.
Për këtë arsye, autoritetet vendosën t’ia refuzonin hyrjen në Gjermani dhe të urdhëronin kthimin e tij në Shqipëri.
Pas pagesës së një shume si garanci financiare për procedurën, 20-vjeçari u nis me aeroplan drejt Tiranës rreth orës 15:30, po atë ditë.
Kështu, udhëtimi i tij në Gjermani përfundoi vetëm rreth shtatë orë pas mbërritjes në Dortmund. Ndërkohë, Policia Federale ka nisur hetimet lidhur me rastin./Albinfo.ch