Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së sotme në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi për të shmangur përshkallëzimin e mëtejmë të situatës.
Përmes një reagimi publik, Begaj ka theksuar se protesta paqësore është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike dhe se institucionet shtetërore kanë përgjegjësi për ta garantuar atë. Megjithatë, sipas tij, dhuna nuk duhet të përdoret si mënyrë për të shprehur pakënaqësitë.
Kreu i shtetit ka nënvizuar gjithashtu se edhe veprimet e policisë duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit, duke respektuar kufijtë e përcaktuar me ligj.
Begaj ka vlerësuar se në situata të tilla nevojitet më shumë përgjegjësi nga të gjitha palët, ndërsa Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten udhërrëfyes për veprimet e secilit.
Në fund të reagimit të tij, presidenti ka shprehur gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve. Ai ka bërë të ditur se zyra e tij do të vazhdojë të jetë e hapur për të rinjtë dhe për çdo qytetar që dëshiron të shprehë mendimin e tij, të angazhohet në dialog dhe të kontribuojë për të mirën e vendit.
Reagimi i Begajt vjen në një kohë kur protesta në Tiranë është shoqëruar me incidente dhe tensione mes protestuesve dhe policisë.