Të tjera
Serbia mohon se ka përdorur top zanor, e gatshme për hetime nga FBI dhe FSB
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Ushtria e Serbisë dhe Njësia e Policisë Ushtarake “Kobrat” nuk kanë top zanor, për të cilin disa pretendojnë se është përdorur në protestën e së shtunës në Beograd.
Ndërkaq, kryeministri serb në largim, Millosh Vuçeviq, tha se ekzekutivi është i gatshëm të ftojë për hetime Byronë Federale Amerikane të Hetimit (FBI) dhe Shërbimin Federal Rus të Sigurisë (FSB).
“Jemi të gatshëm që menjëherë të ftojmë amerikanët dhe rusët”, tha Vuçeviq në një konferencë për media në Qeverinë serbe.
Presidenti Vuçiq paralajmëroi se brenda 48 orëve do të përfundojë hetimi për ata që, sipas tij, kanë shpërndarë gënjeshtra rreth kësaj çështjeje.
“Hetimi do të përfundojë plotësisht brenda 48 orëve dhe më pas të gjithë përgjegjësit për këto trillime dhe gënjeshtra do të dalin përpara drejtësisë”, tha Vuçiq përmes një video-mesazhi të publikuar në Instagram.
Ai pretendoi se topi zanor nuk ishte në rrugë, sepse, siç tha ai, “nuk mund të mos e shihni, nuk mund të mos e dëgjoni”. Edhe Vuçeviq tha se përdorimi i topave zanor është “histori e trilluar”, duke shtuar se nuk janë përdorur armë të tilla.
Vuçiq theksoi se disa persona gabimisht menduan se pjesëtarët e njësisë “Kobrat”, që ishin mbi ndërtesën e Presidencës, po mbanin këtë armë, por që në të vërtetë, sipas tij, bëhej fjalë për një pushkë antidron.
Presidenti serb pretendoi gjithashtu se ditën e protestës askush nuk është ankuar për gjendje të keqe shëndetësore apo për përkeqësim të saj, por se “të nesërmen i dërguan aktivistët e tyre”.
Ai vlerësoi se histori të ngjashme ishin shpërndarë edhe gjatë protestave në Ukrainë, që çuan në rrëzimin e presidentit prorus, Viktor Yanukovich.
“E mbani mend akuzat se Yanukovich kishte futur snajperistë që qëllonin mbi popullin… Ja, ashtu filluan edhe këtu”, tha Vuçiq.
Në video-incizimet e publikuara në rrjetet sociale, shihen qytetarë të mbledhur në protestën e së shtunës pranë Sheshit Slavija, që po protestojnë për muaj të tërë për shkak të vdekjes së 15 personave nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad, që largohen pasi dëgjuan një zhurmë.
Ngjarja shkaktoi panik mes qytetarëve dhe për momentin nuk ka informacione zyrtare mbi atë që shkaktoi një reagim të tillë të turmës.
Studentët protestues, që e organizuan protestën e 15 marsit duke kërkuar që të përcaktohet përgjegjësia për ngjarjen në Novi Sad, akuzuan autoritetet se kanë përdorur top zanor teksa protestuesit po mbanin 15 minuta heshtje për 15 të vdekurit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes më herët po ashtu mohuan përdorimin e topit zanor në protestën e 15 marsit.
Të tjera nga Të tjera
E-Diaspora
-
Gjermani
Ambasada e Kosovës organizon panel me diasporën shqiptare në Berlin Në kuadër të “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin”, Ambasada e Republikës së Kosovës në... -
Diaspora
Mijëra qytetarë të Kosovës votojnë sot në ambasada dhe konsullata -
Mbi 11 për qind e diasporës voton brenda orëve të para -
Suedi
Diaspora në Suedi nis procesin e votimit, qytetarët ushtrojnë të drejtën e votës -
Gjermani
Nga punëtor i thjeshtë në Gjermani deri te titulli “Dachdeckermeister”, historia frymëzuese e Nderim Hajdari
Jeta në Austri
-
Mbyllet procesi i votimit në Vjenë: Votuan 907 qytetarë Në orën 19:00 është mbyllur procesi i votimit në Vjenë të Austrisë. Nga ora 07:00 deri... -
Përfundon procesi i votimit në qendrat diplomatike të Kosovës në Evropë -
Procesi i votimit në Ambasadën e Kosovës në Austri, i rregullt dhe pa pengesa -
Alarm në Vjenë: Shumë mace bien nga dritaret, paralajmërohen dënime të larta -
Austria planifikon një rritje vjetore prej 100 milion € për shërbimet e kujdesit












