Tematike
Prokuroria kërkon 17 vjet burgim për kosovarin që ka vrarë nusen e djalit
Personi, i cili nuk kishte precedentë penalë, deklaroi se nusja e të birit e kishte sulmuar fillimisht me thikë dhe ai kishte dashur t'ia merrte atë

Një proces gjyqësor që ka nisur dje (e mërkurë) për krimin e rëndë të kryer në vitin 2020 ka ngjallur interes të madh në opinionin zviceran, shkruan albinfo.ch. Fjala është për vrasjen e nuses së të birit, që e kishte kryer atëbotë një burrë 60 vjeçar nga Kosova. Gjykimit të krinit që po karakterizohet si “vrasje nderi” po i kushtojnë hapësirë të madhe mediat e këtushme, disa prej të cilave (20 minuten dhe blick) kanë raportuar edhe me “Liveticker”, nga salla e gjykimit.
Një 60-vjeçar kosovar është duke u gjykuar që nga e mërkura në gjykatën penale të Bazelandit, në Muttenz për vrasjen e të resë (nuses së djalit) së tij. I pandehuri ka deklaruar se ka vepruar në vetëmbrojtje. Sipas deklaratave të tij, ai ishte penduar. Prokuroria publike kërkon dënim me 17 vite burg dhe dëbim nga vendi për 15 vite.
Personi, i cili nuk kishte precedentë penalë, deklaroi përmes një përkthyesi se nusja e të birit e kishte sulmuar fillimisht me thikë dhe ai kishte dashur t’ia merrte atë. Nuk kishte asnjë qëllim për ta vrarë, është shprehur kosovari. Ai e donte renë e tij. “Unë duhet të kisha vdekur në vend të saj,” tha i pandehuri, transmeton albinfo.ch. Pasi ajo e kishte plagosur disa herë me thikë, ai “kishte parë vetëm zi para syve”. “Unë e humba kontrollin dhe ndodhi ajo që ndodhi”.
Sipas aktakuzës së prokurorisë publike të Bazelit, krimi ka ndodhur mëngjesin e 20 qershorit në Pratteln
Fillimisht, nusja kishte kërkuar të flasë me të akuzuarin. Ka audio incizime të bëra nga viktima për bisedën dhe rrjedhimisht krimin. Sipas kryetarit të trupit gjykues, nusja në incizime ndër të tjera ka thënë: “gjithçka ka kaluar, ka mbaruar” dhe disa herë ka kërkuar nga vjehrri i saj që të lejohet ta shohë djalin e saj, i cili atëherë pothuajse ishte tre vjeç e gjysmë, për herë të fundit.
Mbrojtja argumenton se i akuzuari ka vepruar nga “zemërimi, frika dhe emocioni”, pas ofendimeve të vazhdueshme dhe sjelljeve provokuese të viktimës. Krimi nuk ishte vrasje e rëndë, sipas avokatit.
Prokurorja publike e ka cilësuar krimin si femicid dhe ka kërkuar që dorasi të dënohej me 17 vjet burg për vrasje dhe të dëbohej nga vendi për 15 vjet, përcjell albinfo.ch. I akuzuari ka vepruar në mënyrë të shënjestruar, deklaratat e tij ishin kontradiktore me dosjen dhe ishin thjesht pretendime mbrojtëse. Ai kishte vepruar “në mënyrë të pamëshirshme dhe i kishte vrarë nënën nipit të tij”.
Sipas aktakuzës, vrasjes i kanë paraprirë mosmarrëveshjet me nusen, e cila ishte martuar me djalin e të pandehurit në korrik të vitit 2015 në Kosovë në një dasmë të dyfishtë me vëllain e tij. Disa muaj më vonë ajo ihste transferuar në Pratteln dhe kishte lindur një djalë në tetor 2016. Djali i të akuzuarit më parë kishte qenë i fejuar me një grua tjetër, gjë që nusja e vrarë nuk e dinte. Për këtë arsye ajo ishte ndier e tradhtuar nga familja e saj.
Martesa është karakterizuar me vështirësi, vazhdon prokurorja publike. Kishte pasur debate të përsëritura dhe dhunë në familje. 24-vjeçarja donte të ndahej nga bashkëshorti. Vjehrri po kërkonte mënyra për ta hequr qafe dhe për të mbajtur nipin në rast ndarjeje. Këtë gjë i akuzuari e ka mohuar ashpër në gjykatë.
Kryetari i trupit gjykues ka theksuar se ka gjetur vazhdimisht mospërputhje në deklarimet e të akuzuarit. Kur qe arrestuar, ai nuk kishte përmendur vetëmbrojtjen, transmeton albinfo.ch. Përkundrazi, ai kishte deklaruar se nusja fliste rregullisht keq për familjen e tij dhe se tani ai e kishte goditur disa herë me thikë.
Më 16 dhjetor shpallet aktgjykimi.
Të ngjashme
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Vdes 18 vjeçari nga Kosova, në një liqe, në Gjermani Një 18-vjeçar vdiq të premten si pasojë e një aksidenti që ndodhi teksa ai ishte duke...
-
30 vjet të Ansamblit “Vatra”, një përvjetor që frymëzon
-
Gjermani: Humb jetën tragjikisht 18-vjeçari shqiptar në një liqen
-
Mira Murati këtë vikend martohet në një ceremoni private në Toskanë
-
Ambasada e Shqipërisë në Vjenë prezanton denjësisht traditat shqiptare
Jeta në Austri
-
Carinthia: Dy të vdekur në liqene gjatë fundjavës Gjatë fundjavës, dy persona u mbytën në liqene, konfirmoi për APA një zëdhënës i Drejtorisë së...
-
A mund të natyralizohen fëmijët nën 18 vjeç në Austri?
-
Ekstremi i djathtë në Austri përpiqet të shfrytëzojë tragjedinë në Graz për përçarje dhe urrejtje
-
Austri: Sa po zbatohet vendimi për ndalimin e telefonave në shkolla?
-
Policia e Vjenës do të mbyllë 2/3 e stacioneve gjatë fundjavave dhe festave