Kosova
Lajçak e Borrell fillimisht takojnë ndaras Kurtin e Vuçiqin
Gjatë ditës së sotme, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, Kurti e Vuçqiq do të përballen në Bruksel, për herë të parë pas më shumë se nëntë muajsh, me një rund të ri bisedimesh.
Qeveria e Kosovës ka thënë se fokusi i këtij takimi “do të jetë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj dhe rruga përpara”.
Sipas njoftimit të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), Borrell dhe Lajçak fillimisht do të bisedojnë ndaras me Vuçiqin, e më pas me Kurtin, pas çka është planifikuar të vijojë një takim i përbashkët trepalësh. Takimet pritet të fillojnë në orën 15:00, përcjell albinfo.ch.
Siç tha Borrrell, ai po bën përpjekje për ta sjellë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në një “zgjidhje operative” për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo tani është thelbësore, shtoi ai, sepse anëtarët e BE-së po shqyrtojnë propozimin e tij për të paktën heqjen graduale të sanksioneve kundër Kosovës.
Ky do të jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pas ngjarjeve në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau një polic.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se të mërkurën në Bruksel do të shkojë për të parë se në çfarë gjendje ndodhet Kosova në kuadër të dialogut, ndërsa nuk është shumë optimist për arritjen e ndonjë rezultati.
“Nesër në mëngjes do të udhëtoj në Bruksel. Nuk kemi pasur një takim të lartë që një vit. Gati tre vite janë bërë nga takimi i fundit. Takimi i nesër do të jetë në funksion të rekapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si duhet të ecim përpara. Prej këtu kanë filluar problemet. Marrëveshja bazike e bën normalizimin e raporteve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, me njohje de fakto. Kjo është zgjidhja më e mirë, e cila nuk është realizuar deri më sot”, ka thënë Kurti të martën.
Ndërkaq, emisari special i BE-së, Miroslav Lajcak, tha se gjithçka është gati për këtë takim.
“Me takimin e nivelit të lartë të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbahet nesër, javën e fundit ia kam kushtuar përgatitjeve të thella. Kam vizituar Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar qëllimin e këtij takimi – të shqyrtohen të arriturat dhe të planifikohen hapat e ardhshëm, veçanërisht në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, shkroi Lajçak të martën mbrëma.
Lajçak tha se shpreson që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin politik të nevojshëm për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër Tubimi me bashkatdhetarët do të mbahet të shtunën në Winterthur, në kuadër të aktiviteteve të partive... -
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani -
Vjosa Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare -
Në Vjenë promovohet libri i Zef Mazit për diplomacinë e Kosovës gjatë viteve 1991–1999 -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana”
Jeta në Austri
-
Ulje e TVSH-së në Austri: Blerje disa cent më lirë Të enjten u vendos ulja e TVSH-së. Qeveria flet për lehtësim - por klientët do të... -
Piktori shqiptar Haxhi Fejzullahu hap ekspozitën “Dheu nuk njeh kufi” në Austri -
Mijëra njerëz protestojnë në Vjenë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision -
Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan” -
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë











