Lajme
Vendet e punës që janë në rritje në Evropë gjatë 2024-ës
Inteligjenca Artificiale, qëndrueshmëria dhe siguria kibernetike janë në rritje – deklaroi LinkedIn në raportin e fundit mbi perspektivën e tregut të punës për vitin 2024.
Sipas sondazhit të fundit të LinkedIn, tregu i punës po pëson një transformim të shpejtë në Europë – konkurrenca për vendet e punës është më se dyfishuar në vitin e fundit, me shfaqjen e roleve të reja që nuk ekzistonin 20 vjet më parë.
Në këtë vit, pozicionet me rritjen më të shpejtë janë ato që lidhen me qëndrueshmërinë, Inteligjencën Artificiale dhe zhvillimin e biznesit, sipas parashikimeve të platformës sociale që përqendrohet te punësimi.
LinkedIn kreu një hulumtim, duke analizuar miliona vende pune të filluara nga anëtarët e tij në periudhën 1 janar 2019 dhe 31 korrik 2023, për të llogaritur normën e rritjes për secilin titull pune.
Nga ky studim doli se dy të tretat e profesionistëve europianë (67%) po marrin në konsideratë mundësinë për të ndryshuar punë këtë vit, pavarësisht rritjes së konkurrencës në tregun e punës.
Në vitin 2022, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Francë kishte vetëm një ofertë pune për afërsisht dy kandidatë aktivë në LinkedIn, ndërsa tani ka vetëm një ofertë pune për çdo katër kandidatë.
37% e profesionistëve europianë thanë se po kërkojnë paga më të larta për të kapërcyer krizën e kostos së jetesës, ndërsa 19% thotë se janë më të sigurt për aftësitë e tyre dhe se po kërkojnë të gjejnë një rol më të mirë për t’u rritur në karrierë.
Cilat janë punët në rritje?
Punët me rritjen më të shpejtë ndryshojnë sipas vendeve europiane të marra në analizë, por tendenca e përbashkët tregon se rolet e lidhura me Inteligjencën Artificiale, qëndrueshmërinë dhe sigurinë informatike janë në rritje, ndërsa kompanitë përpiqen të merren me këto tendenca kryesore që ndikojnë në ekonomi.
Titujt më të kërkuar të punës përfshijnë Sustainability Manager, Artificial Intelligence Engineer dhe Cyber Security Analyst. (Menaxher i Qëndrueshmërisë, Inxhinier i Inteligjencës Artificiale dhe Analist i Sigurisë Kibernetike).
“Në vitin 2024, është e qartë se Inteligjenca Artificiale dhe qëndrueshmëria janë dy nga faktorët kryesorë që po formësojnë tregun e punës, ku kompanitë po përpiqen të punësojnë gjithnjë e më shumë profesionistë me aftësi ekologjike dhe në Inteligjencë Artificiale”, deklaroi Josh Graff, drejtor i përgjithshëm i LinkedIn për Europën dhe Amerikën Latine.
Pesë pozicionet më të kërkuara në Mbretërinë e Bashkuar janë: menaxher i qëndrueshmërisë, përfaqësues për zhvillimin e shitjeve, analist i nënshkrimit (që vlerëson individët dhe bizneset për të përcaktuar nivelin e rrezikut që paraqesin), shefi i të ardhurave dhe dentist.
Përputhja e aftësive me një pozicion mund të jetë e ndërlikuar
Raporti zbulon, ndër të tjera, se shumë profesionistë e kanë të vështirë ta gjejnë mënyrën për të përshtatur aftësitë e tyre me vendet e lira të punës, për shkak të ritmit të shpejtë të ndryshimit. Ndër të tjera, 55% e përgjegjësve të rekrutimit besojnë se kompanitë e tyre po humbasin kandidatët e aftë, për shkak se u mungojnë kualifikimet tradicionale.
“Shumë prej këtyre punëve nuk ekzistonin as 20 vite më parë dhe me botën e punës që ndryshon me një ritëm kaq të shpejtë, përshtatja duhet të jetë në vend të parë të shqetësimit të drejtuesve të bizneseve”, thotë Graf.
“Ndërkohë që nismat e të Mësuarit dhe Zhvillimit janë parë shpesh si diçka e këndshme, nismat e rikualifikimit do të jenë vendimtare për tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve, si dhe për të siguruar që fuqia juaj punëtore të ketë aftësitë e nevojshme për t’u përshtatur me ndryshimet në botën e punës”.
E-Diaspora
-
Sot varroset 19-vjeçari nga Vitia që humbi jetën në aksident në Itali 19-vjeçari shqiptar u nda nga jeta më 24 korrik, pasi u përfshi në një aksident të... -
Shqiptarja Esmeralda Kazia shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026” -
Mërgimtarët dhe veteranët e futbollit bashkohen për të katërtin vit në turneun e FC Barileva -
Ermonela Jaho debuton në Festivalin Veror të Varnës me një gala operistike -
Nis seminari mbarëkombëtar për mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë
Jeta në Austri
-
Shqiptarja Esmeralda Kazia shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026” Është shqiptarja e parë që fiton këtë vlerësim prestigjioz ndërkombëtar, ndërsa Shqipëria synon të organizojë edicionin... -
Publikohet raporti i parë zyrtar për viktimat e luftës në Kosovë, dokumentohen 13.227 persona -
Vizitorët ndotin Danubin e Vjetër -
25% e fëmijëve gjermanë që jetojnë në Austri humbasin një vit shkollor -
Rita Ora emocionon Vjenën, shpërthen në lot teksa flet për rrënjët nga Kosova













