Kosova
Kosova hedh poshtë të pavërtetat e fjalimit të Vuçiqit në OKB
Së fundmi, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka hedhur poshtë të gjitha deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku akuzoi Perëndimin se duke e njohur Kosovën “kanë shkelur brutalisht Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244”.
Vuçiqi ndërlidhi çështjen e Ukrainës me Kosovën. Sipas tij, “ajo që i ndodhi Serbisë më 2008, po i ndodh Ukrainës sot”. Ka akuzuar Perëndimin se me njohjen e Kosovës “po i mohojnë parimet që sot i mbrojnë” duke e ndërlidhur me pushtimin rus të Ukrainës dhe përkrahjen e Perëndimit për Ukrainën.
“Si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënoj ashpër dhe i hedh poshtë në tërësi si të pavërteta dhe tentim për shtrembërim të historisë deklarimet lidhur me Republikën e Kosovës, të bëra nga Presidenti i Serbisë në paraqitjen e tij të sotme para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ai, mes të tjerash, zanafillën e agresionit rus në Ukrainë e sheh tek pavarësimi i Kosovës, dhe paturpshëm pretendon se më 2008 Serbisë i ka ndodhur kjo që po i ndodh Ukrainës sot”, ka shkruar në reagim në Facebook Gërvalla të enjten në mbrëmje.
Ajo ka përsëritur faktet se Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008 si përmbushje e vullnetit të popullit dhe se deklarata e shpalljes së pavarësisë nuk përbën shkelje dhe se këtë e ka vendosur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
“Me këto shpifje dhe përpjekje për shtrembërim të historisë, Presidenti i Serbisë ka keqpërdorur rëndë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse ka një ngjashmëri mes agresionit rus në Ukrainë dhe rastit të Kosovës, ajo është vetëm te fakti se Rusia sot ka marrë në shënjestër Ukrainën dhe ukrainasit ashtu si Serbia më 1999 kishte marrë në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Kjo edhe është arsyeja pse Republika e Kosovës sot përkrah pa asnjë hezitim Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër agresorit kriminal rus. Kjo njëkohësisht duket qartë se është arsyeja pse Serbia vazhdon të mbështesë Rusinë e Putinit, siç e konfirmoi hapur dhe pa dilemë vet Presidenti i Serbisë në të njëjtin fjalim në OKB”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka vazhduar se Vuçiqi me këtë fjalim ka shkelur edhe zotimet që i ka dhënë para Bashkimit Evropian “kur e ka pranuar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, të datës 27 shkurt 2027, dhe Aneksin Zbatues të datës 18 mars 2023, neni 2 i së cilës përcakton qartë se raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërtohen bazuar në parimet e Kartës së OKB-së, posaçërisht atyre që ndërlidhen me barazinë sovrane të shteteve, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial”.
E-Diaspora
-
Mbi 50 mijë aplikime nga diaspora për votim, prijnë votuesit nga Gjermania dhe Zvicra Mbi 50 mijë qytetarë nga diaspora kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit... -
Cyrihu duartroket filmin e Ibër Dearit “Krejt e thirrin Rexhën” -
Akademik Fehmi Agani u kujtua si “truri i rezistencës civile” të viteve `90 -
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur -
Prishtinë
Koncert i muzikës klasike në Prishtinë me Victor Julien-Laferrière dhe Filharmoninë e Kosovës
Jeta në Austri
-
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet Këtë javë, në Vjenë do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e edicionit të 70-të të Eurovisionit.... -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten -
Vjenë
Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë












