Lajme
Çka përfshijnë sanksionet e BE-së ndaj presidentit rus dhe ministrit Lavrov
Vendet e BE-së ranë dakord të premten të ngrijnë pasuritë e presidentit rus Vladimir Putin dhe ministrit të tij të Jashtëm në vendet e bllokut, pasi udhëheqësi i Ukrainës kërkoi me ngut veprime më të shpejta dhe më të forta për të ndëshkuar sulmin rus ndaj vendit të tij.
Masa kundër Putinit dhe kryediplomatit të tij, Sergei Lavrov, erdhi ndërsa të dërguarit e 27 vendeve anëtare të BE-së diskutuan hollësitë e një vale të re sanksionesh, që u mbështetën nga udhëheqësit e BE-së në një samit urgjent të enjten në mbrëmje.
“Është një sinjal i rëndësishëm politik”, tha një diplomat i lartë i BE-së, duke iu referuar vendimit për të vënë në shënjestër udhëheqësit e Rusisë.
Një zyrtar i BE-së tha se ky raund i dytë sanksionesh do të pasohet nga një i tretë, që mund të synojë “shumë më shumë” oligarkë rusë.
“Ne po lëvizim sa më shpejt që mundemi”, tha zyrtari.
Më herët të premten, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i kërkoi Evropës që të veprojë më shpejt dhe më me forcë në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, duke akuzuar aleatët perëndimorë se po bënin politikë, ndërsa forcat e Moskës përparonin në Kiev.
“Ju ende mund ta ndaloni këtë agresion. Duhet të veproni me shpejtësi”, tha ai, duke shtuar se ndalimi i hyrjes së rusëve në BE, përjashtimi i Moskës nga sistemi global i pagesave ndërbankare SWIFT dhe një embargo e naftës duhet të jenë të gjitha në tryezë.
Sanksionet e BE-së nënkuptojnë se blloku po bashkohet me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera me masa të tilla si frenimi i qasjes së Rusisë tek teknologjitë dhe financimet kryesore.
Sanksionet do të synojnë gjithashtu elitat ruse dhe do ta bëjnë më të vështirë udhëtimin për diplomatët, por udhëheqësit e BE-së vendosën të mos frenojnë importet ruse të energjisë dhe, pas kundërshtimeve nga Gjermania dhe Italia, ndër të tjera, të mos e pezullonin Rusinë nga sistemi SWIFT.
Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, duke pritur një takim të homologëve të BE-së në Paris për të diskutuar ndikimin ekonomik, tha se pezullimi i Rusisë nga sistemi SWIFT mbetet një opsion, por vetëm si një “armë bërthamore financiare” e mundësisë së fundit.
Ai tha se disa vende të BE-së, por jo Franca, kanë rezerva për një hap të tillë dhe Banka Qendrore Evropiane pritej të jepte një analizë “në orët e ardhshme” mbi pasojat nëse do të ndërmerrej kjo masë.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u tha gazetarëve në Bruksel se opsioni SWIFT rrezikonte të dëmtonte individë, si ata që përpiqen të dërgojnë para te të afërmit në Rusi, “ndërsa ata njerëz që janë përgjegjës për gjakderdhjen do të jenë ende në gjendje të bëjnë biznesin e tyre bankar”./VOA
E-Diaspora
-
Muriqi e dërgon Fenerbahçen në Ligën e Kampionëve Vedat Muriqi ka qenë protagonist në suksesin e madh të Fenerbahçes, që siguroi kualifikimin në fazën... -
Shqiptarja që shet vila milionëshe në Zvicër: Gentiana Ahmeti, “Immofluencerja” që po ndryshon mënyrën e shitjes së pronave -
Sabahat Meta për albinfo.ch: Për 7 vite, Kino Kosova është shndërruar në një urë kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën
Jeta në Austri
-
Çfarë nënkuptojnë rregullat e reja të BE-së për patentën e shoferit për Austrinë? Direktiva e re e BE-së për patentën e drejtimit sjell ndryshime të shumta për shoferët, kampistët... -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë?














